Rrena si disiplinë ndihmëse e historiografisë?!

Ardian Muhaj

Ardian Muhaj

Nga: Dr. Ardian Muhaj*

25 shekuj kanë kaluar që kur Herodoti e ka ndarë qartë detyrën e historianit dhe të historiografisë nga miti, faktin nga trilli, dokumentin nga rrena. Për babanë e historiografisë, miti, trilli dhe rrena nuk janë dhe nuk mund të jenë pjesë e historiografisë. Po sipas tij, një prej vetive që e dallon historianin asht pikërisht se ai duhet ta ketë qëllimin e aftësinë për ta shkep mitin nga historia, trillin nga fakti, dhe rrenën nga dokumenti. Leopold von Ranke, megjithatë, dy mijëvjeçarë mbas Herodotit, duke e pa se fjalët e të parit nuk kishin zënë veshë, këmbënguli, se detyra e historianit dhe e historiografisë asht me e rrëfy të kaluarën “wie es eigentlich gewesen”, ashtu siç ka qenë. Këtë herë duket se historianët ia vunë veshin. Çka pason mbas Rankes nuk asht ma rrenë e zyrtarizuar, por pikëpamje të shkallëshkallshme rreth historisë pa rrena. Që në shekullin XIX, në botën e qytetëruar askush nuk e mbron rrenën si mjet apo disiplinë ndihmëse historiografike… Përveç në Shqipni.

Miq të shkolluar që fëmijët e tyne i mësojnë që të vegjël me tregime morale rreth të këqijave që sjell gënjeshtra, miq besimtarë që shkojnë në xhami, ku dëgjojnë ajete kuranore rreth gjynahit që përmban rrena në vetvete, më kërkojnë shpesh në biseda që unë të rrej për të kaluarën e vendit tim apo të botës ku jetoj. Arsyetimi asht nji nga versionet e “cosi fan’ tutte”. Të gjithë kanë mitet e veta, apo serbët e zmadhojnë dhe e zbukurojnë historinë e tyne me mite e rrena, e na pse të mos e bajmë? Ju mundeni me e ba atë punë, meqë e mendoni të drejtë, u them. Jo, kur them “ne”, du me thanë “ti”, se ti je historian, – ma kthejnë zakonisht. E po, unë pse jam historian, nuk e shoh arsyen pse ma kërkon shoqnia, që të rrej, e ta rrej edhe shoqninë, kur kjo shoqni, që në klasat e para të shkollës, që në tregimet e para të gjyshes, që në rreshtat e parë të Kur’anit e të Biblës, më ka thanë: “mos rrej”! Për cilën shoqni po mendoni, kur po më thoni mua të rrej?

Asht e vështirë me e kuptu këtë besim të vendosun të njerëzve të rritun me moralin e ndëshkimit të rrenës, se rrenat e mia e tonat, do të kenë efekt aq të mrekullueshëm dhe të na nxjerrin në dritë. Fundja kush i garanton rrenomanët se rrena e jeme si individ dhe rrena jonë si shoqni ka me kenë rrena e rrenave, rrena e përsosun, rrena e pakontestueshme dhe se tjetërkush apo shoqnitë e tjera do t’i hanë rrenat e mia e tonat dhe nuk janë të aftë me na mundë në garën e falsifikimit, në olimpiadën e rrenave historiografike?

Po serbët e grekët për shembull manipulojnë historinë, rrejnë, efryjnë historinë e tyne me mite, pse mos ta bajmë edhe ne? – E pse ta bajmë? Për aq sa i njoh fqinjët tanë ballkanikë, serbë e grekë, përshtypja ime e patundun asht se ne kurrë nuk kemi me mujtë me i mundë ata me rrena. Ata janë mijëra vjet para nesh në rrenologji. Janë kampionët e padiskutueshëm ballkanikë në rrenacion e në rrenacizëm. Unë jam i sigurt se rrenat tona kurrë nuk mund të bahen aq mjeshtërore. Atëherë pse t’i futem nji valleje që nuk di ta kërcej? Pse t’i futem nji beteje që e di pa i veshë këpucët se do ta humbas?

E vetmja mënyrë me i zhba rrenat e tyne të zbukuruara për merak, asht me u vu përballë të vërtetat tona të zbukuruara ku ka ma mirë se me fakte e arsye. Vetëm me të vërteta mund t’i mundim ose t’i heshtim, përndryshe thjesht do biem në karremin e tyne. Unë kështu e mendoj. Kush mendon se gënjeshtra jonë i ka këmbët më të gjata se ajo e serbëve apo e grekëve le ta mendojë, ta besojë e veprojë.

E vërteta, e jona dhe e tyne, nuk i qas gënjeshtrat as made in Serbia, as made in Greece, dhe as made in Albania. Mënyra ma e mirë asht që të mos ua kemi zili aspak fqinjëve kampionë ballkanikë rrenash, por të zbatojmë ato mësime morale që i kemi marrë që nga tregimet e gjysheve, klasat e para të shkollës, që te mësimet e udhëzimet e Kuranit e Biblës, që te shembull i Jezusit e Muhamedit a.s. Po ashtu, duke zbatu mësimet e historianëve të vërtetë, vërtetdashës që nga Herodoti, te Ranke e deri te krejt historiografia europiane e dy shekujve të fundit që e ka ba synim të panegociueshëm dhe të padiskutueshëm të vërtetën.

Nuk gjendet një historian i vetëm në Europë në dy shekujt e fundit që të preferojë rrenën mbi të vërtetën, apo ta konsiderojë rrenën si mjet ndihmës të historianit. Mos t’i ngatërrojmë shkollat e ndryshme historiografike që kanë lindë përgjatë dy shekujve të fundit në Europë. Të gjitha kanë lindë për një qëllim të vetëm: Afrimin e historiografisë me historinë, afrimin e perceptimit për të kaluarën me të kaluarën. Ato shkolla historiografike europiane nuk janë dyqane të ndryshme rrenash, por rrugë të ndryshme që synojnë të njëjtin cak, të vërtetën historike. Nëse Shkolla e Analeve, postmodernistët, dekonstruktitivistët e kritikojnë qasjen e Rankes, e kritikojnë historicizmin, e bajnë për të tregu një rrugë ma të shtruar e ma të lehtë për kah e vërteta dhe jo për të mbrojtur rrena e rrenologji.

Historiani në Europën e dy shekujve të fundit e ka pa veten në pasqyrën e shkencës dhe jo në atë të magjisë, e as të mashtrimit, apo rrenologjisë. Historia asht shkencë dhe pikë. E shoh si shkencë ekzakte, dhe mbase guxoj, por kështu e mendoj. Ashtu sikurse Ajnshtajni sillte nji këndvështrim të ri nga ai i Njutonit, apo ashtu sikurse çdo nobelist sjell diçka të re në shkencën përkatëse, ashtu edhe shkollat historiografike nuk janë tjetër veçse hapa të ndryshëm në të njëjtën rrugë të shkencës, të faktit, të së vërtetës.

*Historian, Instituti i Historisë