Koçua, braktis politiken e strategjine nacionale...

Nga: Salih Kabashi

 Salih Kabashi

Salih Kabashi

KOÇUA, braktis politikën e strategjinë nacionale, tash e tutje shpikësi e fikësi i Shqipërisë Natyrale do të merret me problematikat rajonale.

E takova ditën e fundit të prillit. Pa e parë një kohë të gjatë, 26 vjet, e njoha e më njohu.

Më 2011 gjakovarët kishin nisur përgatitjet e tyre për Festën e Flamurit dhe të Bashkimit Kombëtar që do të ndodhte më 2012, në Njëqindvjetor. Koçua ashtu kishte thënë me gojë e me shkrim. Gjakovarët, pak më shumë se shqiptarët tjerë e kishin marrë jo veç me gëzim pohimin e Koços, por e kishin marrë fort për sahi dhe më shumë se seriozisht…

S’di mirë si ndodhi, çka ndodhi, si u ngatërruan gjeopolitikat, ç’faqe e zezë ndodhi, por, shkurt - bashkimi u shty për në 200 vjetor!

Captureasetn.PNG

Dëm i madh kur e kujton se gjasat për ta parë atë ditë të gëzuar e të bekuar askush prej të gjallëve të sotëm nuk i ka as mund t’i ketë. Shqiptarët ndërkohë nuk do të kenë çka të bashkojnë, sepse edhe mos hyfshin në Evropë ata të gjithë do të vendosen në Gjermani, Zvicër, Skandinavi, Amerikë…

Në vitin 2112, në Vlorë e Prishtinë, grekët, respektivisht serbët do ta njohin Shqipërinë Natyrale, një shtet që brenda tij nuk do të ketë shqiptarë as si pakicë kombëtare…

- Hë Koço, ç’u bë me Projektin Shqipëri Natyrale ?

Koçua, si politikan e politolog që është, nuk u përgjigj direkt në pyetjen time. Më shikoi drejt në sy, nënqeshi duke dashur të thotë djall ! Tha diçka që s’kishte lidhje me pyetjen, pastaj shtoi edhe diçka tjetër të përbërë nga fjali të ndërmjetme dhe në fund duke zbardhur dhëmbët me zbritje apo shtrembërim të buzës së poshtme të djathtë, me sy që i ndrinin si yje partizane, tha troç :

- Lëre, iku ajo punë ! Mirrem me politikat dhe problematikat rajonale…

Mirë e ke, i thashë ! Duhet ecur përpara. Pas politikave rajonale presin ato evropiane, pas evropianeve vijnë ato internacionale… Deri te ato interplanetare !

PS

Ky shkrim u vonua për shkak se prisja një intervistë që Koço Natyrali, tash Rajonali, dikur vetëm Koço Danaj, më tha se do të shihte dritën te gazeta Blic e Beogradit dhe te një TV serbe, cilës, s’ia mbajta mend emrin... I ka lexuar kush? E ka shikuar ndokush prej jush?