Mirënjohje për Leon Trockin

Përgatiti: Xhafer Sadiku

Këtë letër nuk e ka shkruajtur një njeri i çfarëdoshëm, por i famshmi Leon Trocki. Dhe nuk ia ka dërguar ndonjë njeriu të thjeshtë, por Pavël Nikolaeviç Miljukovit, historian dhe politikan rus; themelues i partisë liberale ruse-Partia Demokratike Kushtetuese (Kadeti). Bën fjalë për masakrat e kryeqëzatës ballkanike mbi popullsinë shqiptare myslimane në Kosovë e Maqedoni.

 

Leon Trotsky

Leon Trotsky

NJË PYETJE JASHTËPARLAMENTARE
ZOTRI N. MILJUK0VIT

Zotëri deputet!
Ju jeni njëri nga iniciatorët dhe frymezuesit e asaj që njihet si “lëvizje neo-sllave”, që dilni përpara në emër te hiç më pak se parimeve më të respektuara të përgjithshme të qytetërimit, humanizmit dhe lirisë kombëtare.
Ju shpesh, si në kolonat e shtypit ashtu edhe pas foltores në Duma, i keni bindur aleatët ballkanikë - respektivisht dinastitë dhe klikat e dinastive që sundojnë me Ballkanin-për simpatitë e pandryshueshme të së ashtuquajturës shoqëri ruse për fushatën e tyre të “çlirimit”.

Kohët e fundit, gjatë armëpushimit, ju bëtë udhëtim politik në Ballkan; i vizituat disa qendra dhe, çfarë është veçanërisht me rëndësi, shkuat në krahinat e pushtuara së fundmi nga aleatët.

A nuk dëgjuat gjatë udhëtimeve tuaja - me duhet të paramendoj se kjo do të ishte interesante për ju - për aktet monstruoze të brutalitetit që i kryen ushtarët ngjadhnjimtarë të aleatëve përgjatë rrugëtimit të tyre luftarak, Jo vetëm kundër ushtarève, të plagosurve dhe të robëruarve turq të paarmatosur, por edhe kundër banorëve muslimanë paqedashës, pleqve dhe plakave dhe fëmijëve të pafuqishëm?
Nëse keni degjuar- e nuk keni mundur të mos dëgjonit - atëherë përse heshtni?
Përse hesht “Fjala” juaj elokuente?

A nuk ju detyruan faktet e padiskutueshme dhe të pakundërshtueshme, të vini në përfundim se bullgaret në Maqedoni dhe serbët në Serbinë e Vjetër, në zjarrin e tyre nacional për t’i përmirësuar të dhënat në statistikat etnografike që nuk janë të favorshme për ta, thjesht u angazhuan në shkatërrim sistematik të popullatës muslimane nëpër fshatra, qytete dhe qarqe?

C’keni për të thënë në aspekt të këtyre metodave për sigurimin e fitores së elementit sllav? A nuk do të pajtoheni se komploti i heshtjes nga të gjitha gazetat tona “udhëheqëse” - “Rossiya” qeveritare, gjarpërorja patriotike “Novoye Vremya”, prijatarja e moderuar “Russkaya Molva”, “Russkoje Slovo” dhe “Reç” tamburase, që përpiqet gjithmonë të duket e lartësuar - që kjo marrëveshje e ndërsjellë për heshtjen ju bën të gjithë juve bashkudhëtarë dhe pjesëmarrës morale në egërsitë që do të lënë njollën e çnderimit mbi gjithë epokën tonë?

A nuk janë në këto rrethana protestat tuaja kundër keqbërjeve turke-të cilat unë nuk orvatem aspak t’i mohoj - të ngjashme me sjelljen e neveritshme të farisejve: që rrjedhin, duhet supozuar, jo nga parimet e përgjithshme të kulturës dhe humanitetit por nga përllogaritjet e thata të pangopësisë imperialiste? A nuk e keni të qarte se përkulja e heshtur e “partive udhëheqëse ruse” ndaj krimeve bullgare dhe serbe, tani — kur aleatët ballkanikë i rinisën operacionet ushtarake - ua lehtëson këtyre të fundit të angazhohen në vepren e tyre prej Kaini të masakrave të metejme të popullit të Gjysmëhënës në interes të “kulturës” së Kryqit? A mund t’iu përgjigjeni këtyre pyetjeve të thjeshta dhe të qarta, zotëri deputet?

Ose ju me në fund mësuat t’i mblidhni dy plus dy dhe te gjeni mjaft vendosmëri që të përfundoni se udheheqësi i opozitës “përgjegjese”, meqenëse pranoi të veprojë si ndërmjetës midis diplomacisë pjetrogradase dhe dinastive ballkanike, në atë mënyrë e pranoi pjesën e vet të përgjegjësisë para opinionit publik të vendit të vet, për barqet e cara të fëmijëve turq dhe grykat e therura të muslimanëve pleq.

Nëse është ashtu, juve nuk ju mbetet gjë tjeter, pos të heshtni. Por,
në atë rast heshtja juaj do ta ketë fuqinë e dënimit që fjalimet tuaja nuk e kanë pasur kurrë!
Lué No. 34 (110)
30 janar, 1913.
____________
Myslimanët e Ballkanit, “Çeshtja lindore” në shekullin XX, përgatitur nga Fikret Karcic, botim shqip, Tiranë 2016, f. 188-189.