Mekanizmi i përzgjedhjes

Nga: Zija Vukaj

Zija Vukaj

Zija Vukaj

Kush duhet të përzgjidhet për të përfaqësuar familjen, fisin, krahinën, kombin, racën, rrymën filozofike, forcën politike? Natyrisht më i miri. Individi më i kompletuar; më i pranueshmi, më i pakontestuari, më i ndershmi, më i dituri, më i moralshmi, më humani dhe më gjithëpërfshirësi. Partitë përfaqësojnë vullnete të shumta individësh. Janë formuar e formohen nga bashkimi i vullneteve (ose nga manipulimi i tyre) dhe kanë për detyrë të krijojnë standarde dhe realitete përfaqësuese në shërbim të progresit social sipas vizionit të tyre. Pra duhet të kenë dhe në mos e paçin, të ndërtojnë një mekanizëm për të përzgjedhur vlerat e vërteta të individëve mbi të cilët është ngritur dhe ekziston forca politike. Si është bërë kjo deri tani dhe si mund të bëhet? Çfarë ka ndodhur realisht dhe çfarë duhet të ndodhë? Të gjitha këto arsyetime dhe qasje dilematike i lindin individit të thjeshtë kur kundron nga larg raportet e partive me kulturën; raportet e partive me moralin; raportet e partive me drejtësinë etj., etj.
Një lider i së majtës, kokoroç dhe simpatik nga ata korçarët e kopsitur, të tapinosur dhe të shquar për servilizmin e tyre deri në heroizëm thoshte se ne nuk jemi përgjegjës për çdo anëtar të partisë sonë, me demek se çdokush e ka kokën e vet mbi supe dhe e di vetë se ç’bën. Pra kryebashkiakun e Dibrës, për të cilin ka bërë gjithë atë propagandë dhe ka hyrë garant, tani e quan një anëtar e çdo të partisë. Po si ka mundësi që partia zgjodhi pikërisht dhe vetëm këtë individ për të përfaqësuar epërsitë dhe sharmin e saj politik. A duhet të dijë partia se ku i ka vlerat dhe antivlerat. A duhet të dijë partia se përveç dy, tre pesë a gjashtë të fortësh, garipash, rambosh, al kaponesh, pasunarësh analfabetë, të dhunshëm dhe pa asnjë gjeneralitet kulturor apo edhe kontribut politik që kanë rrëmbyer jo vetëm simpatinë e liderëve (të këtyre kryeëngjëjve migjenianë që ndajnë gjithë misrin politik), por edhe administratën shqiptare kudo e ngado, ka edhe socialistë të thjeshtë që për fatin e tyre të keq janë më të ndershëm dhe më të kulturuar se ky zhgan mizerabël. Po iu vure prapa një garipi deputet ose një deputeti garip, pas pak ditësh do të bëhesh me post, do të gradohesh edhe po qe se je më injorant se garipi vetë. Pse nuk e pyesin veten politikanët: “Ç’kanë vallë njerëzit e ndershëm që nuk na afrohen? Ç’kanë intelektualët me ne ose çfarë kemi ne me intelektualët. Çfarë ka morali me ne apo ne me moralin? Nëse do të përzgjedhësh atë që të shfaqet i pari para syve, ta dish se aftësinë për të t’u shfaqur para syve e ka gjithkush me përjashtim të njerëzve të ndershëm dhe të zgjuar, të cilët nuk ke për t’i njohur as për t’i përzgjedhur apo vlerësuar kurrë.