Demokraci, oligarki apo... kombëtarizëm?

Nga: Shenasi Rama

Në vitin 1990, nevoja historike e shqiptarëve nuk ishte për vendosjen e një demokracie ideale. Ajo thirrja e studentëve “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte një thirrje thellësisht kombëtariste dhe në përputhje me nevojën tonë historike si shtet e si komb. Ne na duhej demokracia, pluralizmi dhe një system politik ndryshe që të dilnim nga qorrsokaku por edhe të hidhnim bazat për një jetë të re më të mirë për të gjithë, ndryshe, dhe të ndërtuar me mencurinë e me kujdesin që duhej.

Cila ishte nevoja historike? Nevoja historike ishte për një sistem demokratik që do të na lejonte përzgjedhjen e njerëzve më të zotë e më të aftë për të bërë më të mirën për kombin shqiptar. Pra, kombi një herë, e më pas, sistemi për të zgjedhur udhëheqësit. Demokracia, sipas nesh funksiononte në këtë mënyrë: të zgjedhim ata që na shërbejnë si komb e si shtet shqiptar në këto kushte kritike më mirë se të tjerët, dhe të konsiderojmë në rrafshin politik, pa paragjykime e dogma, edhe rrugëzgjidhje e mendime që do të lejonin të shmangnim gjakderdhjen e të përfitonim nga ky shans historik për të pasur një fillim të ri për të gjithë shqiptarët. 
A I kishim kushtet? Në atë kohë i kishim të gjithë kushtet e nevojshme për të kaluar në anën e vendeve të përparuara e të begatuara që ishin shtet kombëtariste por që paraqiteshin si demokratike sepse ashtu i zgjidhnin udhëheqësit e tyre: natyrën, dijet, njerëzit, dhe bazën ekonomike. Por që të bëheshin gjërat si duhej, nuk duheshin lejuar tepritë, kapja, korrupsioni e krimi të dilnin si përcaktuese të rrugës e të zgjidhjeve politike, ekonomike, shoqërore e morale që duheshin formuluar e sqaruar si duhet. Demokracia nuk do të ishtë mënyra për të konfirmuar sundimin e një kaste apo grupi. Nuk do të ishte sundimi i pasanikëve në një system kapitalist ekstrem, sic e imagjinonin këta të parisë së Tiranës, apo më mirë Cunat e Bllokut dhe servilat e tyre. 
E megjithatë pyetja është pse kemi dështuar? Kemi dështuar sepse njerëzit që prisnin zgjidhje u detyruan të silleshin si kafshë politike që luftonin për mbijetesë nga paria e Tiranës. Ajo që nuk kishim ishte vullneti politik i parisë, që donte të vendoste kapitalizmin më të egër të mundshëm për t’u bërë ata borgjezia e në skllevërit e tyre, dhe vetëdija kombëtariste se vetëm duke punuar bashkë e në të mirë të njëri tjetrit ne do të shmangnim krizat e katastrofat që vijnë natyrshëm me një sistem të tillë. 
Kështu kemi përfunduar duke ndërtuar një system oligarkik që iu shërben vetëm interesave të parisë dhe të klaneve të huaja e të brendshme kriminale mafioze që janë të lidhura me to dhe që kanë grumbulluar në pak klane e sekte, katunde e fise, tribu e familje mafioze gjithë pasurinë kombëtare. . Nuk kemi shtet, por kemi mafia. Nuk kemi parti, por kemi banda. Nuk kemi udhëheqës shteti por kemi shefa e bosa klanesh. 25 vjet më vonë jemi jo në udhëkryq, por në humnerë. Dhe më e keqja, nga humnera nuk dilet duke gërmuar e thelluar hendekun, por duke e mbyllur atë në mënyrë që të ketë mnjë fillim të ri.

Cfarë na duhet? Ajo që na duhet, është pikërisht ai kuptimi I demokracisë që kemi parashtruar atëherë, një mënyrë zgjedhjeje e atyre që iu shërbejnë shqiptarëve dhe popullit shqiptar. Ky kuptim i demokracisë që kemi shprehur atëherë nuk ka ndërruar sepse kështu bëjnë të gjithë ata që kanë mend. As rrugëzgjidhja nuk ka ndërruar sepse gjithvcka tjetër ka dështuar. Oligarkia ka dështuar dhe me vendosjen e saj të hapur si tani, nuk mund të ketë asnjë lloj demokracie ndër shqiptarët. Këta që duan paratë më shumë se shpirtin, kanë shitur jo vetëm nderin e jetën e tyre, jo vetëm sovranitetin e shtetin, jo vetëm pasuritë kombëtare por edhe të ardhmen e shumë brezave.

A mund të vazhdohet më kështu? Edhe mund të vazhdohet në rrugën e krimit por si shtet e si komb, nuk mund të vazhdohet më kështu. Interesi i kombit është të ndërtojmë një system të tillë që është e duhet të jetë mbi gjithcka e mbi cdonjerin, sepse në këtë botë, popujt që punojnë si kombe fitojnë e ata që nuk punojnë si kombe bëhen skllevër të dikujt tjetër. Dështimi i parisë oligarkike së Tiranës, që ka punuar sistematikisht, pa ndërprerje e me ndërgjegje të plotë kundër kombit dhe kundër atij sistemi demokratik e ligjor që na duhet e ka bërë edhe më imperative vetëdijësimin për këtë rrugëzgjidhje dhe për këtë kuptim të demokracisë që na bëri ne të thërrisnim “E Duam Shqipërinë si gjithë Europa.” Dhe Europa është e përbërë me shtete kombëtariste, por që I zgjedhin demokratikisht udhëheqësitë e tyre jo pse janë mafiozë, drogaxhinj, kriminelë, maskarenj apo shërbëtorë të të huajve e shqiptarvrasës si në rastin tonë, por sepse kur duhet, iu shërbëjnë popujve të tyre. 
Koha është të ndërrojmë rrugë dhe ti kuptojmë si duhet gjërat, sepse natyra nuk të lejon të bësh disa gjëra por ato bëhen në kohën e në vendin e duhur e me mjetet e duhura. Ndryshe punët mbarojnë më gjak e halle të tjera, edhe sikur të ketë zgjidhje të përkoheshme që kryejnë punë një herë e dy herë por nuk janë zgjidhja që duhet! Prandaj duhet ngritur populli sepse ai e zgjidh punën si duhet.