Car Llazarit, me kohë ia ka ngritë përmendoren historiografia shqiptare.

Nga: Dr. Ardian Muhaj

Tashmë statuja gjigande e Car Llazarit me dorën ngritur lart në drejtim të Fushë-Kosovës u vendos në sheshin kryesor të Mitrovicës veriore. Sapo u hap lajmi se në Mitrovicën e Veriut, serbët duan ta ndërtojnë përmendoren e Car Llazarit shqiptarët a thua se u zgjuan papritmas për tu përballë me makthin e radhës. Madje u investigua dhe u përfolën me të drejtë edhe punëtorët apo makinat e një firme shqiptare, që po i jepnin një dorë Carit të naltohet në mes të Mitrovicës. Reagimet qenë mjaft të drejta duke e parë këtë si një provokim dhe si një sulm ndaj shqiptarëve. 
Mirëpo nuk duhet harruar kurrsesi se Car Llazarit me kohë ia ka ngritë permendoren historiografia shqiptare. Serbët thjesht po i ngrejnë shtatoren apo bustin. Aq më tepër që përmendoren carit serb historiografia shqiptare, ia ka ngritë jo thjesht në një shesh në veri të Ibrit, por bash në zemrën e ndërgjegjes dhe kujtesës sonë kolektive. Për t’i shkuar deri në fund zezonës mungon vetëm një akt i vogël simbolik që komandantit serb Llazar në veri të Ibrit t’i bashkëngjitet edhe shtatorja e ushtarit “shqiptar” Millosh në jug të urës, që komandanti e ushtari të rrinë përjetësisht karshi, ashtu siç ka dashur t’i ravijëzojë në ndërgjegjen tonë historiografia, le të themi shqiptare. Në këtë dyshe Bororamiziane mesjetare, kështu do të shihej më së miri edhe evoluimi i idesë së bashkim vëllazërimit mes serbëve e shqiptarëve. 
Faji i historianëve dhe historiografisë shqiptare është se e kanë tronditur e shkundullitur të vërtetën aq shumë sa na kanë sjellë në atë pikë, që tashmë e duan më shumë rrenën se të vërtetën. Që në klasat fillore, madje që në djep, i dëndim fëmijët tanë, të ardhmen tonë, me gënjeshtra rreth historisë dhe të kaluarës. Historia që u tregojmë fëmijëve tanë është e mbushur me mite, jo me tonat, por me mitet e komshinjve, që janë mina kundër nesh dhe të kaluarës sonë.
Ajo që gjoja e justifikon historiografinë shqiptare për ta amnistuar krejt politikën genocidale të ndjekur nga serbët ndaj shqiptarëve që nga shekulli gjashtë e deri në shekullin e XV, duke përfshirë edhe politiken e njërit prej carëve me ntishqiptar, Llazarit, është e ashtuquajtura Beteja e Kosovës. Dikush ia këput rrena për pjesmarrjen dhe ndihmën që mijra shqiptarë i paskan dhënë carit antishqiptar Llazar, herë nën udhëheqjen e princave shqiptarë si Teodor Muzaka, herë ky e herë ai, madje akoma edhe sot që dihet botnisht se Gjergj Balsha ishte duke u fresku në kullën e tij në Ulqin na e çojnë me përdhunë e me zori në Fushë-Kosovë. 
Kjo historiografi e këta historianë janë treguar akoma edhe më fanatikë në mbrojtjen dhe propagandimin e miteve historiografike serbe ndër shqiptarë se sa besimtarët që përkujdesen për tyrben e Sulltan Muratit. Në fund të fundit ai është vendvarrimi i tij e kushdo e ka të drejtën njerëzore që në se lind ta ketë edhe një varr mbas vdekjes. Por përmendorja e Carit serb nuk është varri por është testament i tij, është simboli i asaj që ai përfaqson dhe jo vendpushimi i përhershëm i kockave të tij. Duke qenë kështu, përmendorja në Mitrovicë shumë shpejt mund të shumëfishohet e të vendosen të tilla kudo ku ka serbë e simbas mendjes së disa historianëve tanë edhe aty ku ka shqiptarë.
Meqë kjo betejë e mbyll kapitullin e shtetit genocidal mesjetar serb për disa shekuj, atëherë që fundi i tij të na paraqitet si një fund i lumtur, si fundi i një shteti të dashur e mirëdashës për mbarë popujt ballkanikë, shpiken terma fanta-historikë që arrijnë ta shtrembërojnë aq shumë realitetin, sa që për pak nuk krijojnë herë një komb të vetëm “ballkanas”, liridashës e të drejtë, herë një “aleancë” të popujve ballkanikë. Domosdo, duhej që akti final i politikës genocidale qindravjeçare serbe të mbyllej për mesjetën me një heroizëm të pashoq në të cilin i pushtuari dhe i masakruari ndritohet nga frymëzimi i aleancës së popujve ballkanikë. 
Historianët shqiptarë janë përpjekur me sa kanë mundur të arrnojnë ndonjë të dhënë nga burime të dyshimta historike për të vërtetuar se gjoja në përleshjen kaotike të dy ushtrive të papërcaktura mirë, në anën e pushtuesit mijëvjeçar e genocidal serb luftonin me trimëri edhe rajatë shqiptare, që i kishin hedhur tutje dhjetë shekuj robërim e farëshfarosje. Kështu u madhërua dhe naltësua pushtuesi dhjetëshekullor përkundër kandidadit për pushtues që akoma nuk i kish kaluar dhjetë ditë në trojet shqiptare.
Absurditeti arrin kumin kur diskutohet se në se do kish fituar cari Llazar a do të kishte qenë në favor të shqiptarëve apo jo? E po është e thjeshtë. Në se do kishte fituar car Llazari, me “aleatët ballkanas”, kjo do të ishte po aq në favor të shqiptarëve sa fitorja e masave sllave që u dyndën në trojet Ilire në antikitetin e vonë dhe zhdukën nga faqja e dheut dhjetra qytete të lulëzuara, shkretuan fusha e male, dhe e kthyen Ilirinë në epokën e gurit. Fitorja e car Llazarit dhe e ushtarit të mirë Millosh, do të kishte qenë po aq në favor të shqiptarëve sa ç’qe fitorja e pushtimi i Car Dushanit. Për të pasur akoma edhe më të qartë se si fitorja serbe do i kishte ndihmuar shqiptarët e shtypur e të pushtuar nga vetë serbët, mjafton të hedhësh sytë nga bashkëkohësi serb i car Llazarit, pushtuesi i Janinës, Toma Preljuboviçi. Nofka e tij të cilën ai e mbante me krenari, aq larg nga atdheu i tij i lëvizshëm serb ishte “alvanitoktoni”, që do të thotë, vrasësi, masakruesi apo shfarosësi i shqiptarëve. Preljuboviçi që krenohej me epitetin “shfarosësi i shqiptarëve”, nuk ndryshonte aspak nga bashkëkohësi i tij Car Llazari. 
Historia e dhimbshme e fqinjësisë sonë 1500 vjeçare nuk është asgjë më shumë se sa një akt i vetëm genocidal i shtrirë përgjatë gjithë këtyre shekujve, me intensitet më të ultë apo më të lartë në varësi të rrethanave, por asnjëherë jashtë kësaj përpjekjeje genocidale. Politikanët shqiptarë gabojnë rëndë që nuk e konsiderojnë genocid dhunën e hapur të serbëve në Kosovë në vitet 1998-1999. Ashtu edhe historianët shqiptarë gabojnë rëndë që nuk i shohin carët mesjetarë serbë si projektues e përçues të politikës genocidale ndaj shqiptarëve. Asgjë nuk ka ndryshuar në politikën serbe jo vetëm që nga koha e Millosheviçit, por madje as që nga koha e Car Dushanit e car Llazarit. 
Në fund një lutje për kolegët e mi historianë shqiptarë: Ju lutem mos e vini ujin në zjarr fare për të na vërtetuar se ushtari i mirë Millosh ishte shqiptar. As mos e merrni mundimin të na kërkoni të krenohemi me të, ngaqë thikën që e mbante të fshehur në kraharor, në vend që t’ia ngulte mu në zemër pushtuesit dhjetëshekullor serb, ia nguli kandidatit për pushtues dhjetëditor osman. Në se serbët e vendosën bustin e pushtuesit në veri të Ibrit, ju lutem mos na kërkoni ne shqiptarëve që ta bëjmë vend pelegrinazhi të paktën! Mos na kërkoni ta duam “udhëheqësin” e aleatëve ballkanikë e as mos ta vajtojmë humbjen e tij në Fushë-Kosovë siç keni bërë deri tani! 
@Dr. Ardian Muhaj