Militarokracia më e mirë është me e keqe se demokracia e keqe...

Nga: Dr. Ardian Muhaj

Përpjekja e dështuar për grusht shteti në Turqi risolli në vëmendjen e opinionit botëror, dhe veçanërisht atij europian e ballkanik një vend kyç për stabilitetin dhe sigurinë gadishullore e ndërkontinentale. Pavarësisht prej zhvillimeve dramatike dhe përmasave tragjike që mori ky puç ushtarak, orët e tensionuara të përpjekjes së dështuar, ishin një test i jashtëzakonshëm për ndërgjejgjen njerëzore. Të vjen keq që ishin të shumtë ata që e humbën këtë testim, por ana e mirë e medaljes është se ata që e fituan këtë testim të vështirë ishin më të shumtit, ishin shumica dërrmuese e opinionit më të gjerë, por veçanërisht e atij shqiptar.

I pari dhe më i rëndësishmi i atyre që ngelën në klasë ishte pikërisht ai drejt të cilit drejtohet me kohë gishti i qeverisë turke si destabilizuesi më i mundshëm potencial i Turqisë, Fethullah Gylen. Personalisht kam besuar se të dy miqtë e vjetër, Erdogan e Gylen, vazhdojnë të jenë miq, pavarësisht retorikës kërcënuese e linçuese të të parit ndaj të dytit dhe pavarësisht mallkimeve patetike të të dytit ndaj të parit. Deri natën e përpjekjes për puç ushtarak. Në ato orë dramatike, kur e gjithë vëmëndja e botës ishte drejtuar rreth asaj çfarë mendohej se po ndodhte në Turqi, kur mediat turke dhe të huaja, ashtu si edhe interneti në Turqi ndodhej në një bllokim dhe paralizim të paimagjinueshëm, është e vështirë të mendohet se Gyleni që jeton në Amerikë po dremiste gjumin e mbasdrekës.

Atëherë kur për herë të parë tash pothuaj dy dekada, rivali ish-mik i tij Erdogan, nuk kishte qasje të pakufizuar në media e as në botën virtuale, pritej që Gyleni ta shfrytëzonte këtë vakum erdoganas për t’i bërë të ditur botës e turqve, qëndrimin e tij. Nuk mund të kishte rast më të mirë për të sqaruar dhe hedhur poshtë pretendimet e qeverisë turke kundër tij. Pikërisht atëherë kur mediat dhe interneti në Turqi, që supozohej se është i kontrolluar nga pushteti, nuk ishin më në dorë të këtij pushteti, dhe kur mediat botërore dhe interneti botëror kërkonte me ngulm dikënd që ta kthjellonte, Gyleni heshti. Pikërisht atëherë kur të gjithë flisnin, dhe kur akuzuesit e tij e kishin gojën e lidhur, ai nuk nxorri zë.

Heshti pikërisht atëherë kur duhet dhe mund të fliste. Atëherë nuk ka pse të ankohet se nuk e kanë lënë të flasë, dhe as nuk ka pse të flasë më. Disa orë të heshtjes së tij kanë folur më shumë se vite të tëra akuza të kundërshtarit të tij. Me heshtjen e tij, ai dëshmoi se Erdogani kishte pasur të drejtë.  Nuk ka pikë rëndësie në se ushtarakët që e kryen tentativën e dështuar për pak, ishin dora e tij, në se ai kishte gisht apo jo në atë grusht (shteti). Rëndësi ka që Gyleni e humbi testin e asaj nate të vështirë për popullin turk. Me këtë e humbi edhe legjitimitetin për të qenë lider i diçkaje, çfarëdoqoftë.

Po çfarë tha me heshtjen e tij? Në se ai nuk kishte gisht në atë përpjekje ai duhej të fliste menjëherë dhe ta denonconte si një inskenim të pushtetit, si një përpjekje për të kufizuar edhe më shumë opozitën dhe për të forcuar edhe më shumë pozitën e Erdoganit dhe kështu të rrëzonte edhe akuzat që i janë bërë atij vazhdimisht. Në se heshti sepse mendoi se nuk ka pse të flasë për diçka të tillë, aq të pavlerë dhe aq të largët për të, si populli i tij, atëherë ai nuk ka pse të flasë më për asgjë, të heshtë e të tërhiqet përgjithmonë nga gjithçka. Në se heshti sepse priste që të shihte se si do zhvilloheshin ngjarjet, atëherë ai prapë ia mbylli vetes të drejtën për të folur më publikisht. Të heshtësh kur institucionet e shtetit dhunohen, kur qindra mijra, në mos miliona turistë të huaj, jetonin minuta e orë ankthi, në një vend të huaj, me aeroporte, porte, autostrada, ura, pika kufitare, me internet e mjete informimi të mbyllura, kur avionë ushtarakë prishnin gjumin e fëmijëve dhe terrorizonin ajrin, kur ushtarë e policë konfrontoheshin me armë e kur ushtarë qëllonin live në televizion civilë të paarmatosur, është e drejta jote. Por nuk ke pse lodhesh të flasësh më për asgjë. Hesht përgjithmonë.

Por le ti shohim këto punë si çështje të brendshme të popullit turk. Çfarë na mësoi testi i puçit ushtarak turk neve këtu në trojet shqiptare? Pikësëpari duhet thënë se ishin shumë që e humbën testimin e asaj nate. Por prapë, shumë më të shumtë ishin ata që nuk e humbën qartësinë e gjykimit.

E humbën pikësëpari ata që pavarësisht slloganeve “je suis Istanbul”, apo “pray for Ankara”, që i vënë në fytyrën e tyre virtuale sa herë që ka atentate terroriste në ato dy kryeqytete turke, duke ia përshtatur sa për të mos u dukur të njëanshëm, rasteve kur mbështillen virtualisht me flamuj francezë, amerikanë, me “je suis” e me “pray for”, simbas rastit dhe ritmit të terrorizmit të mbrapshtë. E humbën testimin sepse ndodhi që masakra terroriste e Nicës kishte vetëm një ditë që kishte ndodhur, dhe me të drejtë u solidarizuan siç është bërë modë tani, përmes fjalëve e fotove në facebook. Reaguan me të drejtë dhe ç’është më e rëndësishmja nuk ranë pre e një pakice shumë të vogël, të mbrapshtë, që propagandon pas çdo masakre terrroriste se këto janë inskenime, duke shpikur teori konspirative për të hedhur fajin tek qeveritë përkatëse dhe jo tek terroristët, madje duke i paraqitur terroristët si pjesëtarë të skenarit.

Mirëpo, e humbën testimin sepse pikërisht ata që nuk pranuan me të drejtë të mendojnë se rasti i një terroristi me një kamion, që vrau barbarisht 84 njerëz të pafajshëm, i vrarë më pas nga policia franceze, nuk ka asgjë konspirative, nuk është aspak inskenim por akt i pastër terrorist, të njëjtit, një ditë më pas, pranuan se miliona njerëz që e kaluan natën nëpër rrugët e qyteteve të Turqisë, atë natë që u vranë mbi 200 vetë, shumica civilë, ku aviona ushtarakë gjuanin helikoptera puçistë, e ku helikoptera puçistë gjuanin kazerma policësh e institucione kryesore shtetërore, kur qindra tanke puçistësh u panë në rrugët e qyteteve, kur dhjetra njerëz të paarmatosur u vranë live në tv, pranuan se gjithçka ishte inskenim nga pushteti i Erdoganit. Pra një testimi krejt të thjeshtë: A) A besoni se më e lehtë është të xhirohet një film 30 minutësh, në një shesh të një qyteti të vogël, me një aktor të vetëm, me një kamion të vetëm, dhe më 84 viktima plus aktorin, apo B) një film disa orësh, me 200 viktima, mijra të plagosur, i xhiruar në dhjetra qytete të mëdha e stërmëdha, me miliona pjesmarrës, mijra ushtarë e policë, me mijra protagonistë të arrestuar e dëshmitarë, me qindra tanke e helikopterë e avionë. Këtij testi të vockël, kur gjithkush do t’i jepte përgjigjen A, këta i dhanë përgjigjen B, duke e humbur testin e ndërgjegjes. Më e sakta do kish qenë asnjëra, dhe këtë e besoj vetë. E besoj se si në Nicë si në urën e Bosforit ai që vret civilë të paarmatosur nuk është aktor, por është terrorist.

E humbën testimin edhe ata që pretendojnë e propagandojnë demokracinë pra qeverisjen e popullit, si një nevojë universale, por që në rastin e Turqisë, e harrojnë gjithçka dhe propagandojnë të kundërtën. Thonë pa e vrarë mendjen fare se po i bien ndesh vetes, se një grusht ushtarakësh që në të gjithë botën duhet të mbrojnë kufijtë e shtetit, në Turqi u dashka të mbrojnë laicizmin. Harrojnë se mbrojtësi më i madh i shekullarizimit, laicizmit, islamizmit e çfarëtëduash është vetë populli turk. Është ai popull që ka krijuar një kulturë të gëzimit të jetës që e kanë zili e gjithë bota. Ai popull që ka krijuar e mirëmban resorted më të mira turistike në botë, ai popull që ka mbrojtur më mirë se askush trashëgiminë kulturore të Greqisë së Lashtë e të Bizantit. Ai popull që trashëgon një nga kuzhinat më të larmishme në botë, me të cilën ka pushtuar qiellzën e gjuhën edhe të urrejtësve të tij më të mëdhenj. Ai popull që ka populluar një nga qytetet kërthizë të botës, Stambollin, një nga qytetet kryeqendra botërore të jetës së natës e të ditës, qytetin tregtar ndër më të njohurit në botë, qytetin që e ka mbajtur e mbrojtur edhe në momentet më të vështira harmoninë fetare, qytetin në të cilin institucioni më i lartë fetar ishte dhe vazhdon të jetë kryeqendra e Ortodoksisë botërore, para se të ekzistonte Lidhja e Kombeve apo OKB-ja. Qytetin që e ka ruajtur më mirë katedralen e Shën Sofisë se sa e kanë ruajtur romanët Koloseun, apo athinjotët Akropolin para se të ekzistonte UNESCO.

Rasti i përpjekjes së dështuar në Turqi është një rast i jashtëzakonshëm frymzimi, ku populli i del zot dhe e mbron votën e vet edhe nën kërcënimin e tankeve. Sado e dobët, e papërsosur të jetë apo të perceptohet pushteti i dalë nga vota e popullit, është pafundësisht më i mirë se sa ai pushtet që buron nga tytat e armëve.  Militarokracia sado e bukur të duket, në asnjë rast, në asnjë vend, dhe në asnjë popull nuk duhet propaganduar si zgjidhje më e mirë se sa demokracia, sado e papërsosur të jetë ajo.