Instrumentalizimi i Homos Sapiensit

Nga: Muhidin Ahmeti

Gjendja e sotme e njeriut tregon se njeriu nga të qenit krijues është bërë instrument. Thënë hapur, të gjithë ne jemi mjete, prej të cilëve disa pajtohen me gjendjen e tyre, e të tjerët nuk pajtohen. Njerëzit janë aktivë si mjete, por të vdekur si njerëz. Kapitali ka përgjegjësi vetëm për vet-shtimin e vet. Për të qenë i qëndrueshëm, kapitali duhet të rritet 3% në vit. Kjo është dogma themelore e shoqërive liberale-perëndimore. Të gjitha të vërtetat tjera shoqërore dhe përgjithësisht të gjitha nevojat njerëzore duhet të jenë në pajtim me këtë dogmë, tek ata ndizet shkëndija, por nuk flakëron zjarri i jetës njerëzore. Ka pak jetë njerëzore. Njeriu është instrumentalizuar edhe si specie. Në shoqërinë njerëzore, e kohët e fundit edhe në specien e globalizuar- krahas politikës si proces i drejtimit të punëve të përbashkëta, publike, krahas nevojës për mbrojtën e njeriut dhe krahas kulturës, ku kryesojnë shkenca dhe besimi - është futur edhe tregu i lirë, i hapur dhe i pavarur... Njerëzit si individë dhe njeriu si specie jetojnë nën presionin e konkurrencës jetësore, e cila e insturmentalizon njeriun si prodhues dhe si konsumues. Kreativiteti i është marr njeriut si specie dhe është transferuar në tregun dhe në kapitalin e lirë, privat (antisocial, jo të përbashkët, jo-shtetëror), i cili është lodhur nga puna dhe pasuria natyrore dhe i cili rënkon nën presionin e grumbullimit të vazhdueshëm dhe të pamëshirshëm. (M.A. Nje mite - si te shpetojme nga e keqja...)