Një roman për të kuptuar ku kemi jetuar



Nga: Roald A. Hysa

Tabloja Epika e yjeve te mëngjesit doli një dështim për Sulejmanin, që shpresonte të paktën ta linin rehat t’u merrte me punën dhe me hallet e veta si piktor i dekorit. Realisht njerëz të vegjël e morën drejtimin e Shqipërisë dhe vendi nuk arriti të prosperojë. Ky është edhe mesazhi themelor i romanit të fundit të shkrimtarit Rudi Erebara. Sulejmani në euforinë shpërthyese të “revolucionit kulturor kinez” e ndërron emrin nga Sulejman në Edmond për ta modernizuar dhe të ndryshonte kështu fatin e tij. E gjithë fryma e romanit “Epika e yjeve të mëngjesit” qëndron brenda këtij dyzimi, Sulejmani që ka trashëguar emrin e gjyshit të vet përfaqëson të vjetrën, pronat, tiranasin e prapambetur dhe të gjithë atë frymë “të regjimeve obskurantiste të kaluara”, të cilat vetëm e shtypnin popullin. Edmondi është një emër bashkëkohor dhe përfaqëson të renë, njeriun e ri të Partisë, që punon nëpër aksione, sakrifikon për Partinë dhe nuk kursehet kur ia kërkon Partia. E gjithë fabula e romanit është ndërtuar pikërisht në ato momente të vështira për regjimin monist, kur shkëputën marrëdhëniet me kinezët pas vizitës së presidentit amerikan Nikson në Kinë, e cila u konsiderua si një tradhti ndaj kauzës së revolucionit marksist dhe marksiszmit nëpër botë.

Capturehg6ttza.jpg

Diktatura e kishte zakon t’i fshinte nga regjistrat e saj “shokët” e djeshëm prej të cilëve kishte importuar jo vetëm teknologji e mallra të ndryshme, por mbi të gjitha edhe ideologji. Çdo gjë kineze dhe kinezërirat duhet të zhdukeshin dhe Udhëheqësi dhe Partia duhet të dilnin në pah më të fortë se kurrë. 
Një bojë e kuqe e skaduar do të rezultonte fatale në një kohë të tillë të vështirë, për më tepër nga hetimet doli që ajo ishte importuar nga Jugosllavia prej Degës së Sigurimit, që ishte arma më e dashur e Partisë. Ndërkaq porosia e udhëheqësit më të lartë ishte të gjenin grupin armiqësor, që e kishte shkaktuar këtë dëmtim në fushën e ideologjisë. Pas hetimeve në të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes së Dekorit të Tiranës Sulejman-Edmondi ishte kandidati më i mundshëm për t’u shpallur “armik”, i ri në moshë dhe për të punuar nëpër kampet e punës dhe burgjet, aty ku “kishte nevojë” atdheu për krah pune.
Për ironi ndërmarrja e dekorit pikërisht ajo që e zbukuronte Tiranën me parrullat dhe portretet e udhëheqësit të madh u vendos pikërisht në xhaminë e Dine Hoxhës, një armiku të popullit dhe nga xhamia shpërndahej jo më “fjala e Zotit”, por vija e lavdishme e partisë dhe e marksizmit. Një materializëm i shtirë, në një kohë kur shteti komunist nuk mbahej dot pa ndihmat e vendeve komuniste si Kina dhe Bashkimi Sovjetik dhe mbështetjen e partive motra.
Klima e mosbesimit i karakterizon të gjitha personazhet, jo vetëm “armiqtë e popullit” dhe “të deklasuarit” prisnin me ankth se kur do ua vinin prangat. Edhe vetë të besuarit e Partisë si Koci e Avniu, që i shërbenin me përkushtim organeve të dhunës proletare, që ishin funksionarë të Ministrisë së Brendshme dhe të Sigurimit i trembeshin një burgimi të mundshëm në kuadrin e grupeve armiqësore, të cilat “i zbulonte” Partia!
Rudi Erebara ia ka dalë të japë me sukses frymën e kohës të viteve 70’ të shekullit të kaluar, kur regjimi i egër dhe i pashpirt komunist i Enver Hoxhës arrinte të persekutonte dhe të zhdukte edhe njerëzit që ishin politikisht shumë afër Partisë. Kushdo që është gjallë sot dhe që e ka jetuar atë kohë do ta përjetonte me shumë emocion leximin e këtij romani dhe do të gjente te fati i Sulejmanit sadopak nga vetja.
Gjuha sarkastike që ka përdorur Erebara dhe diku-aty fjalori në zhargon i personazheve ia shtojnë dozat e realitetit dhe i bëjnë personazhet më të afërt me lexuesin, sidomos me lexuesin e asaj moshe që ka jetuar në ato vite të trishtuara. Partia vendoste kur duhej të dashuroheshe, martoheshe, madje edhe të divorcoheshe, nëse nuk i bindeshe Partisë e pësoje keq. Fati i Sulejman-Edmondit është i damkosur, megjithëse bojën e kuqe të skaduar e kanë blerë Sigurimsat, veprimtaria armiqësore i takon atij, sepse ai e ka të trashëguar armiqësinë për Partinë. Vetëm ai mund të jetë armiku, sepse nëse e vendos Partia, vetëm ai mund të jetë. 
Një roman që ia vlen ta lexosh, jo vetëm ata që e kanë përjetuar atë kohë, por edhe ato breza të lindur pas viteve 1990, për të mundur të dinë se si kanë jetuar prindërit e tyre. Epika e Yjeve të Mëngjesit është një roman realist i realizuar me shumë kujdes, dashamirësi, ironi e një sarkazëm, të cilat autori ka ditur t’i fusi atje ku duhet nëpërmjet rreshtave të këtij romani.