DY BANDA QË BËJNË SHQIPONJËN ME DUAR, POR GËRRYEJNË ME THONJ VENDIN E VET

Nga: Blerim Gashani

(Apo: një bast për të gjithë që mbajnë mend)

Ky popull ka parë gjithçka, ka vuajtur tmerrësisht shumë, ka qenë i varfër, i pashkolluar, i paditur, i paqytetëruar, i izoluar, i frikësuar, ka qenë në baltë e në mjerim për më shumë se një shekull.

Ka gabuar, sidomos më 1912 e më 1945, nuk e ka njohur politikën e as gjeopolitikën, ka dështuar me turp të kalojë në modernitet dhe ka dështuar në mënyrë katastrofike të prodhojë një elitë shtetformuese.

Dhe, për këtë, duhet ta mbajë kokën ulur.

Veç diçka s’mund të themi për këtë popull, për këta shqiptarë të vuajtur:

Edhe kur kanë qenë në baltë, në mjerim, pa shkollë e pa dije, ky popull ka ditur t’i njoh gënjeshtarët, e sidomos hipokritët! 
Edhe kur ka qenë i pafuqi t’u kundërvihet, shqiptari hipokritin – dyfytyrëshin, pra – e ka njohur mirë.

Hipokritët që bëjnë shqiponjën me duar kur janë ndezur kamerat dhe, në anën tjetër, kanë biznese të përbashkëta me serbët dhe bëjnë pazare me serbët për tokën e Kosovës, kur fiken dritat, i ka njohur mirë! Ua ka njohur racën, shkollën, ndikimin, helmin, thikën pas shpine.

…………

Qenkan tubuar banditat e Shqipërisë dhe po u premtojnë banditave të Kosovës se do të bashkohemi!

Mirë boll!
Ishalla asht qysh po thoni, jo qysh e dime ne!

Veç diçka…

Veç diçka nuk na paskan treguar banditat me gjuhë të zgjidhur, që e udhëheqin Shqipërinë e lidhur dhe banditat me gjuhë të lidhur që bëjnë se e udhëheqin Kosovën e lidhur: nuk na paskan treguar se ku kanë qenë dhe çka i ka penguar këta horra qe 10 vjet që ta bëjnë hapin e parë.

Veç diçka nuk na paskan treguar banditat me gjuhë të zgjidhur, që e udhëheqin Shqipërinë e lidhur dhe banditat me gjuhë të lidhur që bëjnë se e udhëheqin Kosovën e lidhur: si do ta bëjnë këtë.

Veç diçka nuk na paskan treguar banditat me gjuhë të zgjidhur, që e udhëheqin Shqipërinë e lidhur dhe banditat me gjuhë të lidhur që bëjnë se e udhëheqin Kosovën e lidhur: një rezultat, një rezultat të vetëm, sado sipërfaqësor e formal që ka ardhë si rezultat i takimeve mjerane të dy kinse-qeverive tash e disa vjet.

……….

Prandaj…
Unë mund të besoj gjithçka;

- Unë mund të besoj në diçka që është e mundshme por edhe, tani për tani, e pamundshme;

- Unë mund të besoj në diçka të imagjinueshme por edhe diçka që, tani për tani, nuk është e imagjinueshme;

- Unë mund të besoj se do të mund të fluturojmë; se do të ketë më shumë fluturime, se sa trafik rrugor në të ardhmen;

- Unë mund të besoj se do të mund të shkojmë për pushime në planetet tjera;

- Unë mund të besoj se shqiptarët do të ngriten, forcohen, krijojnë perandori dhe diktojnë zhvillimet botërore......

......por kurrë, kurrë dhe kurrë:

- Nuk besoj se kur takohen banditat me gjuhë të zgjidhur, që e udhëheqin Shqipërinë e lidhur dhe banditat me gjuhë të lidhur që bëjnë se e udhëheqin Kosovën e lidhur dhe – këta dy palë banditë, pra - flasin për punët e shqiptarëve, nuk besoj, se aty mund të ketë një dobi, një përfitim, një hajr për shqiptarët.

Asnjë pikë!
Asnjë fije!
Asnjë trohë!

Ftoj miqtë dhe dashamirët, por edhe të tjerët, që ta mbajnë mend këtë dhe nëse del ndryshe – edhe nëse kjo ndodh pas 50 vjetësh (nëse kemi ymër) - të më pshtyjnë në fytyrë midis qarshie!

M’falni se ju pengova në duartrokitjet e në euforinë që vjen nga hipokrizia e fjalimeve me sheqer në sipërfaqe, por që fshehin helmin brenda!

Si gjithmonë!