Fejton

Nga: Ambrozia Meta

"Jo, të lutem mos i hiq patikat." Presidenti thinjosh përqafon përzemërsisht Kryeministrin. "Ta gëzoni shtëpinë e re". “Të gjithë shqiptaret i mobilojnë shtëpitë në ngjyrë bezhë”-, mendon me vete, sapo hyn brenda. "Eh ta kishim edhe ne kështu Presidentin tonë, - i thotë të Zotit të shtëpisë. " Ulu në qoshe bre". Miqtë e tjerë ndërkaq e presin në tryezë. "Shtëpi me shumë shije President," - thotë Kadri Veseli. 
"Eshtë marrë nusja me djalin me këto pune". Dëgjohet zëri i Hashim Thaçit, ndërsa hap shishen e verës. "E di ti, kujt i themi Kadri ne, në Shqipëri ?!" - Kryeministri i drejtohet Kryeparlamentarit të Kosovës. Të gjithë qeshin. Ramush Haradinaj rrëkëllen gotën e verës. “Koshova sh'ndahet "- thotë ai. 
"Dialog dhe vetëm dialog, siç bëra unë me studentët", - Edi Rama, akoma s'ka mbaruar fjalën, kur vëmendjen ja merr një mesazh ne telefon. "Shef, nesër Albin Kurti do ligjërojë te "Shkencat" si markmarks. Po i kam gjërat në kontroll. "Thuaj atyre që nesër mos të merren me doktoreshën dhe artistin. Të gjithë të sulmojnë Albinin. Dhe me gjej disa fermerë, nesër do inspektoj serat e Lushnjës”.
Bezha e tryezës dhe e divanit tani i duken me të shpëlara. Gjithmonë e kishte urryer Albin Kurtin. Marksist i poshtër, me ato fjalimet si rock star. Po nesër, në Tiranë askush s'do ta ketë mendjen te ai. Nga mendimet e shpërqendron mbllaçitja e Ramushit. 
"Po na bëni një foto, të zieje pak Kazani". Të gjithë shpërthejnë në të qeshura. 
Komisioni i Integrimit 4 shkurt ora 12:00 
Deputetët e opozitës ngacmojnë zv/ministren për çështjen e azilkërkuesve. 
Ish- ministrja e Kulturës, e përhumbur. Flokët i ka të vajosur, aq sa mund të skuqësh një vezë në to, dhe buzëkuqin gjysmë të fshirë. Nuk ja ndan sytë celularit. Një mesazh në telefon, 10 minuta më parë, se lë të përqendrohet te shifrat e emigracionit. "Është porosi nga shefi, mos e djallos si me teatrin." 
Ora 14:00
Makina e televizionit, qëndron përballë kryesisë. Një orë më vonë do lexoja lajmet ne portale: Ish- ministrja e Kulturës sulmon Albin Kurtin. Nga larg dëgjoj kolegun e Klan Plusit. "U kënaqa sot. Dëgjova ligjërimin e Albinit, pastaj i mora dhe një intervistë. Thuaj asaj koleges tënde që ma dha mua intervistën”.
"Të kam zili për vete, unë akoma s'ja kam marrë një intervistë,"- i them ndërsa entuziazmin e tij na i ndërpret shoferi që bëhet gati të niset. 
Sapo marrim kthesën te Kryeministria mendoj se që nga sot, Albini nuk është vetëm opozita e Kosovës por edhe e Shqipërisë.