Si duhet të flasim me miqtë e mëdhenj?

Nga: Blerim Gashani

Në vitin 1996, opozita serbe kishte dalur në rrugë, po kërkonin zgjedhje – besa, edhe pushkë – dhe dukej se po rrezikonin pushtetin millosheviqian. Disa shqiptarë harruan në çast gjithçka dhe vrapuan të propozojnë e të thërrasin se kosovarët duhet të marrin pjesë në këtë rebelim dhe të dalin në zgjedhjet parlamentare serbe që po afronin.

Në këtë ide, printe një gazetar, shpejt iu bashkua një simbol i persekutimit, i njohur për propozime të federatave e konfederatave të shumta e të ndryshme, dhe puna shkoi deri aty sa edhe Kryetari i Shqipërisë, doli në përkrahje të përfshirjes së shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet në Serbi. Këta të tre, mes ca të tjerëve, shkaktuan presion dhe konfuzion të madh tek shqiptarët. Presioni ngushtoi hallkat edhe deri te udhëheqja e atëhershme e shqiptarëve të Kosovës, deri tek lideri Ibrahim Rugova dhe intelektualët që e rrethonin atë.

Megjithatë, dhe kjo s’ishte hera e parë, lideri më i madh që kanë prodhuar ndonjëherë shqiptarët, nuk dha asnjë shenjë se do t’i nënshtrohet ndonjë presioni për të thirrur shqiptarët e Kosovës dhe partitë e tyre politike që të marrin pjesë në zgjedhjet serbe. Asgjë nuk ndihmoi, as lobimi, as kërcënimi, as kritikat, as thirrjet nga brenda dhe as ato nga jashtë. Karizmatiku largpamës dhe refuzuesi jo vetëm estetik i serbëve, nuk po e jipte veten. Dhe, kjo dihet dhe pranohet botërisht, nëse lideri Rugova nuk pajtohej për një gjë, as shqiptarët e Kosovës nuk pajtoheshin për atë.

Një ditë të mbushur me shtrëngim të brendshëm dhe të jashtëm, në zyret e Ibrahim Rugovës trokiti presioni edhe më i madh. Ambasadori amerikan Uoren Cimerman erdhi ta lus kryetarin e LDK-së që të marrë pjesë në zgjedhjet e serbëve. Miku i madh po i kërkonte udhëheqësit të shqiptarëve diçka që ishte shumë e rëndë. Një gur shumë i rëndë në shpinën e tij si lider dhe në kurrizin e shqiptarit të Kosovës. Megjithatë, lideri i urtë u përgjigj me maturi dhe me vendosmëri.

Ibrahim Rugova i tha ambasadorit të dashur, të vendit të dashur, se që nga fillimi i rezistencës, vetë ky po edhe të gjithë shqiptarët e Kosovës nuk kishin bërë hap pa këshillat dhe pa pajtimin e amerikanëve. Formimi i këshillit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, krijimi i partive politike, rezistenca paqësore, sistemi paralel, refuzimi i çdo gjëje serbe e orientimi strategjik i këtij populli të vogël, të tëra këto ishin bërë me pajtimin, sugjerimin, këshillimin, përkrahjen amerikane.

Cimermanit i tha se nëse ky ishte vullneti amerikan, pas rezistencës dhe refuzimit 7 vjeçar, ai do t’i thërriste shqiptarët e Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhjet serbe. Por, vazhdoi Rugova, amerikanët duhet t’i tregojnë atij dhe popullit shqiptar nëse ata (amerikanët, pra), kanë hequr dorë nga projekti i tyre i deriatëhershëm për Kosovën. Për shkak se, hyrja e kosovarëve në zgjedhjet parlamentare serbe, do të thoshte përmbysje e tërë projektit, jo vetëm shqiptar, por edhe amerikan për Kosovën.

Forca e argumentit të intelektualit dhe liderit më të madh shqiptar bëri që Cimerman të hiqte dorë nga kërkesa e tij. Pastaj, edhe shteti i tij ndërroi mendje në lidhje me shtytjen e kosovarëve në zgjedhjet serbe dhe kjo shkaktoi zbehjen dhe shuarjen e zërave shqiptarë për një gjë të tillë. Pjesa tjetër, është histori.

Prandaj.....

Kjo është mënyra e komunikimit me superfuqinë mike edhe sot. Apo jo?

Vetëm se, ka një ndryshim tani.

Këtë komb nuk e udhëheqin më intelektualët, njerëzit e ditur e të ndershëm.

Krejt të tjerë e udhëheqin Kosovën sot.
Krejt të tjerë!
Krejt të ndryshëm!