Degradimi i institucioneve tona.

Nga: Imer Topanica

A kështu kanë degraduar institucionet tona? – Pyesin disa me habi. Po, po, po..., pse po çuditeni?! Për këtë kemi investuar të gjithë, të paktën qe dy dekada. Kemi investuar me heshtjen tonë, me indiferencën tonë, me pasivitetin tonë. Dhunimi ka filluar kur partitë qeveritare kanë garuar pa program të mirëfilltë për arsimin, kulturën, ekonominë etj. Pastaj kur ato që e kanë fituar pushtetin (duke nënkuptuar këtu atë qendror e lokal), kanë punësuar militantë në sektorët e rëndësishëm publikë. Militantizmi, për rrjedhojë, ua ka hapur dyert perversëve, kriminelëve, maniakëve, manipulantëve. Por akti ka arritur kulmin kur figura të njohura (shërbëtorë të pushteteve), edhe pas shpërthimit të skandaleve, janë ftuar në studio televizive për t’ua mundësuar “rikuperimin” e imazhit të dëmtuar. Nga ky kontaminim i moralit, s’kanë shpëtuar as akademikët, profesorët universitarë, avokatët, deputetët, madje edhe gazetarët... A kjo është përmasa reale e dhunimit? – Do të mund të vijonin diskutimin disa, Jo! Ajo është më e madhe.
Ne i dhunuam pyjet, fushat, sheshet, lumenjtë, sidomos lumenjtë. Abuzuam me lirinë e kafshëve. Thënë butë, manifestuam kështu një papjekuri qytetare. Kaq dekada, që nga ndërrimi i sistemit dhe ende pronën publike s’e trajtojmë si pjesë tonën, por si pronë të pushtetarëve. Shteti, (prona publike, institucioni etj), prandaj, është i huaj për ne. E keqja nuk është se ky perceptim është i ngulitur në vetëdijen e brezave më të vjetër, por sepse nuk i kemi edukuar për të kundërtën brezat e rinj. Duhet ta kuptojmë që punësimi i një militanti në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë, apo arsimit, nënkupton dhunim të të drejtës së punës për atë meritorin (më së paku!).
Për të mos e zgjatur, në këtë kontekst, revolucioni kulturor, nuk do të ndodh brenda natës. Lypset kohë, kurajë dhe punë për t’i vënë gjërat në binarë. Më shpejt do të ecnim drejt përmirësimit, po qe se në krye të institucioneve do t’i kishim modelet më të mira për t’i ndjekur. Më shpejt do të zëvendësoheshin këto modele, po qe se do ta instalonim mekanizmin e kërkimit të llogarisë. Më shpejt...