Politika e përmbysur kërkon gjuhën e përmbysur...

Nga: Hysamedin Feraj

Politika e përmbysur kërkon gjuhën e përmbysur. Prandaj duket sikur Thaçi, Rama dhe Veseli po na thonë: 
“Amerika është aleati ynë, sepse po e mbron Serbinë nga ne!”. 
Që ta mbrojë Serbinë nga rreziku shqiptarë, po na thonë ata, aleati ynë, SHBA, janë gati ta mbyllin bazën e vetë ushtarake në Kosovë, që, së paku, t’ia hapin rrugën Serbisë që kjo të mbrohet vetë, ushtarakisht, duke e ripushtuar Kosovën “sa hapë e mbyllë sytë”. 
Mirëpo, kërkesa për heqjen e takësë nuk është amerikane; madje pavarësisht nga kush mbështetet, ajo e ka origjinën serbe. Por, gjuha e përmbysur, duke e paraqitë si kërkesë amerikane, po na tregon çdo ditë e më shumë të vërtetën e hidhur: Thaçi, Veseli e Rama i bëjnë kërkesë SHBA-ve ta mbështesin Serbinë. Nëse nuk është kështu, mbetet pa kuptim kushtëzimi që ata i bëjnë heqjes së taksës ndaj Serbisë me praninë e Bondstillit në Kosovë, sepse SHBA nuk e ka bërë këtë kushtëzim. Por ka kuptin nëse kuptohet se po ia çojnë ndër mend, se po ia kërkojnë SHBA-ve që ta paraqesin si amerikan një kushtëzim të atillë. Prandaj mbas këtyre përgjërimeve nuk është çudi që ndonjë ditë ta dëgjojmë këtë deklaratë nga dikush në SHBA. Çudi do të ishte vetëm të mos kuptojmë ende se qëndrimet e SHBA-ave pro Serbisë kërkohen me këmbëngulje, me përgjërim, gati me dëshpërim, nga politikanët shqiptarë si Thaçi, Veseli e Rama, sepse “Ramushi nuk po merr vesh ndryshe”. 
Gjithsesi, përmbysja e politikës në pazar, e përmbysë gjuhën dhe kuptimin e fjalëve. Nga ana e saj, përmbysja e kuptimit të fjalëve na bën ndonjë shërbim të mirë: shohim se përdoruesit e tyre po na përgadisin një dëm të madh. 
Dje, përmbysja e domethënies së fjalëve për ne se “do të bëjmë një kompromis të dhimbshëm, do t’ia bashkojmë Preshevën Kosovës, si kushti që na ka vendosë Serbia që të na njoh si shtet” – na mundësoi të shohim rrezikun e coptimit të Kosovës. 
Sot, gjuha e përmbysur, se “SHBA janë aleati ynë meqenëse po e mbrojnë Serbinë nga ne” – do duhej të na mundësojë të shohim politikanët shqiptarë dhe përpjekjet e tyre për ndikim, që aq sa munden dhe po ia arritën, aleatët tanë të deklarohen në krah të Serbisë.
Sigurisht përmbysja e gjuhës prej tyre nuk bindë askënd se SHBA nuk janë më aleati ynë; as se SHBA janë bërë aleati i Serbisë për mbrojtjen e Serbisë nga shqiptarët; por na bindë se Thaçi, Veseli e Rama janë aleatët e Serbisë, ose siç emërtoheshin nga rilindasit: serbofilë. 
Ata nuk ndalojnë. E vetmja rrugë e ndalimit është heqja nga pushteti që kanë.