Zëri i një poeti (A poet's voice).

 

(A poet's voice- Khalil Gibran)

Përkthyesi Halit Methasani

Përkthyesi Halit Methasani

Përktheu: Halit Methasani

Fuqia e mëshirës mbillet thellë në zemrën time

Dhe unë korr e mbledh grurin në duaj,

e të uriturit ja jap

Shpirti im i jep jetë hardhisë

Dhe unë shtrydh veshulët

e lëng të eturit i jap

Perëndia më mbush llampën me vaj

dhe unë në dritare e vë,

udhëtarëve të panjohur udhën t'ua rrëfej.

I bëj këto se në to unë jetoj

E në qoftë e thënë që duart të më lidheshin

që këto që bëj të mos mundesha më

vdekja, dëshira e mbetur do të ishte

se unë jam poet e po nuk dhashë,

të marr s'e bëj dot

 

Njerëzia si stuhi zemërohet,

 e unë në heshtje psherëtij

Pse e di që stuhia kalon tutje,

e psherëtima tek e Madhja Perëndi 

Njerëzit pas gjësendeve në tokë kapen

E unë flakadanin e dashurisë ngaherë të mbaj, kërkoj

Që flaka e tij të më pastrojë,

e zemrës ligësinë t'm'i përcëllojë

 

Gjërat që preken pa vuajtur e vdesin  njeriun

Dashuria e zgjon me dhimbje që ringjallojnë

Njerëzit janë ndarë në fise e klane

që qytete e fshatrave të ndryshëm u takojnë

Po unë për vehte të huaj e gjej veten

kudo mes tyre e askund  që të banoj

 

Gjithësia, atdheu im,

familja njerëzore, fisi që i takoj

Njerëzit janë të dobët,

sa keq që mes tyre përçahen

Bota, shih sa e vogël,

ta ndash në mbretëri, perandori e krahina-

zgjuarsia ç'u bë?

 

Njerëzit në një bashkohen,

tempujt e shpirtit të shkatërrojnë

Pastaj dorë për dore lidhen

që shtëpi për njerëzit në tokë të ndërtojnë

Unë mënjanë rri,

zërat e shpresës thellë brenda vehtes dëgjoj

tek thotë:

"Ashtu si dashuria me dhimbje

zemrën e njeriut e ngjall

Po ashtu edhe injoranca,

mësuese diturisë i bëhet.

Dhimbja e padija

në hare e dituri të çojnë

Se Qënja Mbinjerëzore

asgjë nën qiell s'krijoi kot

 

-2-

 

Zemra më pikon për të bukurin tim Atdhe

Dhe i dua njerëzit e tij, se shumë kanë vuajtur

Por, nëse njerëzit e mi do të çohen

Nga dëshira për plaçkitje të shtyrë

Me motivin e tyre "frymë patriotike" e ashtuquajtur

të vrasin e plaçkisin duan,

vendin e fqinjit të pushtojnë

e mizoritë mbi atë popull të kryejnë

Për këtë atdhe e këtë popull timin

veç urrejtje do t'ruaj

 

Këndoj hymnin për vendlindjen,

e malli më merr të shoh

shtëpinë e fëmijëve të mi.

Por nëse njerëzit në atë shtëpi

strehë e bukë udhëtarit s'i shtrojnë

Himnin në zemëratë do ta ktheja

dhe mallin në harresë shndërruar

Zëri i brendshëm do të thoshte:

"Shtëpija që nevojës vend s'i bën

rrënimin për hak e ka"

 

E dua fshatin tim të lindjes

me ca dashuri nga ajo e Atdheut

Dhe Atdheun tim,

me pjesë nga dashuria për tokën e dua

Që i tëri vendi im është,

dhe me tërë qenjen time, tokën dashuroj

Pse parajsë e njeriut është,

shpirti i prekshëm i Perëndisë

 

Njerëzia, ky shpirti i Qenjes Mbinjerëzore në tokë

Dhe po kjo njerëzi mbi rrënoja qëndron

lakuriqësinë pas rreckave e mbulon

lotët mbi faqet e thara lëshon,

e fëmijët e vet mëshirshëm thërret

Por fëmijët të zënë janë

tek himnin e fisit këndojnë

Të zënë janë se shpatat i mprehin,

e qarjet e nënës nuk mund t'i dëgjojnë

 

Mirësia popullit i thërret,

por më kot, veshë për të s'ka

E nëse dikush dëgjon

e lotët e nënës i fshinë, e ngushëllon

Tjetri do të thotë:

"Ai është i dobët, ligështia e mundon"

 

Njerëzia është shpirti i Mbinjerëzores mbi tokë

mirëkuptim e dashuri predikon

Por njerëzit tallen me këto mësime.

Jezusi Nazarian dëgjoi

dhe kryqëzimi fati i tij qe

Sokrati thirrjen e Perëndisë dëgjoi dhe atë ndoqi,

më i mirë fat s'e gjeti

Pasuesit e Jezusit Nazarian dhe të Sokratit

nxënës të Perëndisë janë,

E meqë njerëzit nuk i vrasin ato

Me to tallen e thonë:

"Tallja më e idhët se vrasja është"!

Jeruzalemi s'mund ta vriste dot Nazarianin,

as athinasit Sokratin

Ndaj jetojnë ata , në përjetësi jetojnë

Tallja mbi nxënësit e Perëndisë,

dot nuk ngadhnjen

Përgjithmonë ata shtohen e jetojnë

 

-3-

 

Ti je vëllai im se njeri je dhe ti,

të dy ne bij të Shpirtit të Shenjtë jemi

Nga e njëjta baltë jemi bërë të dy

 

Ti je këtu se shok i rrugës së jetës je

dhe të fshehtat e Vërteta ndihmë më jep t'i kuptoj

Ti je njeri, dhe kaq mjafton që si vëlla të të dua

Për mua fol, si për mbarë të vijë

Se e Nesërmja tutje do të të marrë

Dhe fjalët e tua për prova do t'i vërë

Dhe drejtësinë do marrësh, nga gjykimi i Tij

 

Ti mund të më mohosh gjithçka që e imja është

Se babëzia ma nxiti të mbledh pasuri

Dhe nëse kjo vërtetë do të kënaqte,

tapinë ta kam dhënë, merre, e jotja qoftë

 

Gjithçka mund të bësh mbi mua

Veç të Vërtetën s'e prek dot

Gjakun mund të ma derdhësh

e trupin të ma djegësh

Por shpirtin s'ma vret dot,

e as ma lëndon

Duart në pranga mund të m'i lidhësh

e këmbët me vargonj

Në burg të errët të më fusësh,

por mendjen dot s'ma skllavëron

Pse i lirë është

si fllad në qiell të paanë

 

Ti je im vëlla, e të dua.

Ta dua adhurimin në kishë,

në tempull tek gjunjëzohesh

Tek lutesh në Xhami, të dua

Unë, ti e ne të gjithë

fëmijë të një feje jemi

Pse, rrugët e ndryshme të saj

S'janë veç gishtrinj

të së dashurës dorë të Qenjes Mbinjerëzore.

Shtrirë për të gjithë ne

të na përsosë shpirtin,

dëshpërueshëm, që t'arrijmë,

mezi presim të gjithë

 

Të dua për të Vërtetën që nga dituria të vjen

Të vërtetën që nga injoranca s'e shoh dot

Por si të mirëqenë e respektoj,

pse punë e shpirtit është

E vërteta jote me të vërtetën time

Në botën tjetërtë takohen

e bashkë si aroma e luleve të përzihen

Që një e vetme e tërë të bëhet,

e Vërteta e përjetshme

Që në përjetësinë e Dashurisë e Bukurisë të jetojë.

 

Të dua se je i dobët para të fortit sundues

dhe i varfër para të babëziturit pasanik

Ndaj lotët i derdh dhe ngushëllimin të jap

Dhe përmes lotëve të shoh

që krahët e drejtësisë të kanë pushtuar

buzëqeshur të shoh tek prokurorët i fal

Vëlla të kam e të dua shumë.

 

 

-4-

 

Të kam vëlla,

po pse me mua grindesh?

Pse ma pushton vendin

e të më nënshtrosh mundohesh

Për hir të kënaqësisë për ata

që lavdi e autoritet kërkojnë?

 

Pse e lë gruan e fëmijët

dhe vdekjen kërkon në tokën e largët,

për hir të atyre që me gjakun tënd lavdi blejnë.

dhe nderin e madh

me lotët e nënës tënde përfitojnë?

Vallë, nder është që vëllai vëllain të vrasë?

Nëse nder e quan,

le t'i themi një punë e adhurueshme,

Dhe Kainit tempull t'i ngremë

që vëllain e tij Abel vrau

A është vetëmbrojtja ligji i parë i Natyrës?

Pse atëherë lakmia të shtyn të vetë-flijohesh,

vetëm e vetëm synimin e tij t'arrish, 

edhe duke vrarë vëllain?

Ruaju o vëllai im nga prijësit që thonë:

"Dashuria për të jetuar na obligon

të drejtën e të tjerëve t'u mohojmë"

Të them veçse këtë:

Të mbrosh të drejtat e tjetrit

puna më e bukur e më fisnike

që mund të bësh është

Nëse të jetoj, të tjerët të vras

nga mua kërkohet

Atëherë, vdekja ime

më e ndershme është se jeta

E nëse njeri nukgjej dottë më vrasë,

që nderin vehtes t'i mbroj

Atëherë, ngurrim s'do kisha

por jetën vehtes me duart e mija do t'ia marr

Për hir të përjetësisë,

përpara se përjetësija të ketë ardhë.

Egoizmi or vëlla

është shkaku i epërsisë qorre

Dhe epërsia krijon fiset,

fiset autoritet që çon në sherr e nënshtrim

Shpirti beson në fuqinë e dijes

dhe drejtësisë mbi padijen e errët

Ai i mohon epërsisë shpatën

për të mbrojtur e forcuar mosdijen e shtypjen

Ajo epërsi që Babiloninë shkatërroi

e themelet e Jeruzalemit tronditi

Që la Romën në rrënoja,

që kriminelët i quajti të vyerit e mëdhenj

Që shkrimtarët i bëri t'i lartësojnë emrin

Historianët, bëmat çnjerëzore të saj

si lëvdata t'i shkruajnë

 

Të vetmen epërsi unë njoh

është dituria e mbrojtjes

dhe e mësimit në Ligjin Natyror të Drejtësisë

Ç' drejtësi tregon autoriteti

Kur ai vrasësin vret

Kur vjedhësin e burgos

Kur vendin fqinj sulmon e popullin ia vret

Çfarë mendon drejtësia për autoritetin,

nën të cilin:

Një vrasës ndëshkon një vrasës

Një hajdut dënon atë që vjedh?

 

Ty vëlla të kam, e ndaj të dua

Dhe dashuria është drejtësi me plot fuqi e dinjitet

Nëse drejtësia këtë dashuri për ty s'e përkrah

pavarsisht nga fisi a rraca kujt i takon

Mashtrues do të isha,

që shëmtirën ego pas basmasë së bukur

të dashurisë së pastër fsheh

 

Përmbledhëse:

 

Shpirtin shok e kam

që në trishtim e ankth të jetës më ngushëllon

Ai që shok shpirtin s'e bën,

armik i njerëzimit është

dhe ai që udhën njerëzore

tek vetja nuk e gjen,

në dëshpërim do të kalbet

Jeta del nga vetvetja

dhe nga rrethina nuk degëzon

Një fjalë të them kam ardhur,

dhe tani është koha ta them

E nëse vdekja s'më le ta shqiptoj,

nesër ajo të thuhet

Se e nesërmja në librin e përjetësisë,

sekrete kurrë nuk lë

Kam lindur në lavdi të dashurisë

dhe të dritës së bukurisë të jetoj

Që pasqyrim i Zotit janë.

 

Unë jetoj këtu,

e njerëzit s'më nxjerrin dot

prej pronës jetë,

sepse e dinë se në vdekje do të jetoj

E në sytë m'i shkulshin,

unë prapë murmuritjet e dashurisë

dhe këngët e bukurisë do dëgjoj

Dhe në veshët m'i mbyllshin,

prekjen e flladit,

me zjarrin e dashurisë

e aromën e bukurisë përzier do të ndjej

Dhe në zbrazëti më vënçin,

bashkë me shpirtin do jetoj

këtë fëmijë të dashurisë e bukurisë

Kam lindur të jem për të gjithë e me të gjithë

Dhe ajo që bëj në vetmi sot

Nesër popullit do t'i jehojë

Atë që sot e them me një zemër

Nesër shumë zemra do ta thonë

 

 

Khalil Gibran

Shqipëroi: Halit Methasani 28 Maj 2010

 

Ora 1:30