Kundër flokëve të gjatë.

Da: PASOLINI
Shqipëroi: Zija Vukaj

Zija Vukaj

Zija Vukaj

Hera e parë që kam parë flokëgjatë ka qenë në Pragë. Në hollin e hotelit ku rrija hynë dy djem të huaj, me flokë të gjatë deri në supe. Kaluan përmes hollit, mbërritën në një qoshe pak të mënjanuar dhe u ulën në një tryezë. Qëndruan të ulur aty për nja një gjysmë ore, të vëzhguar prej klientëve, mes të cilëve unë; pastaj ikën. Edhe kur kaluan përmes njerëzve të mbledhur në holl, edhe kur qenë të ulur në qoshen mënjanë, nuk folën (ndoshta- por nuk e kujtoj- pëshpëritën diçka mes tyre: por, mendoj, diçka krejt praktike, të pashprehshme). Në fakt ata, në atë situatë të veçantë- që ishte krejt publike apo sociale dhe do të thosha, zyrtare- nuk kishin fare nevojë të flisnin. Heshtja e tyre ishte rreptësisht funksionale. Dhe ishte thjesht sepse fjala ishte e panevojshme. Ata të dy, në fakt, përdornin për të komunikuar me të pranishmit, me vëzhguesit- me vëllezërit e tyre të atij çasti- një gjuhë tjetër prej asaj që formohet me fjalë.
Ajo që zëvendësonte gjuhën tradicionale me fjalë, duke e bërë të panevojshme- e për më tepër duke gjetur vendosjen e menjëhershme në zotërim të gjerë të “shenjave”, pra të fushës së semiologjisë- ishte gjuha e flokëve të tyre. Bëhej fjalë për të vetmen shenjë- pikërisht për gjatësinë e flokëve të tyre deri mbi supe- në të cilët ishin përqendruar të gjitha shenjat e mundshme të një gjuhe të artikuluar. Cili ishte kuptimi i mesazhit të tyre të heshtur dhe vetëm fizik?
Ishte ky: “Ne jemi dy flokëgjatë. I përkasim një kategorie të re njerëzore që po bën të shfaqet këto ditë në botë, që e ka qendrën e vet në Amerikë dhe që, në provincë (si për shembull- madje, sidomos- këtu në Pragë) nuk njihet. Pra ne jemi për ju një Shfaqje. Ushtrojmë propagandimin e doktrinës sonë, tashmë plot me një dituri që na përmbush e na dërmon tërësisht. Nuk kemi asgjë për t’i shtuar gojarisht apo me arsye asaj që fizikisht dhe në mënyrë ontologjike thonë flokët tanë. Dituria që na mbush, edhe nëpërmjet propagandës sonë, do t’ju përkasë një ditë edhe juve. Tani për tani është një Gjë e Re, një Gjë e Re e madhe, që krijon në botë, me skandalin, një pritshmëri: e cila nuk do të tradhtohet. Borgjezët bëjnë mirë që na shikojnë me urrejtje dhe tmerr, sepse është gjatësia e flokëve tanë që i kundrshëton në mënyrë absolute. Por të mos na marrin për njerëz të paedukatë e të egër: ne jemi shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë. Ne nuk ju shikojmë, rrimë në punën tonë. Bëni kështu edhe ju, dhe pritni Ndodhitë.”
Unë isha marrës i këtij komunikimi, por qeshë edhe në gjendje ta deshifroja menjëherë: ajo gjuhë pa leksik, pa gramatikë, pa sintaksë, mund të kuptohej menjëherë, edhe sepse duke u folur në mënyrë semiologjike, nuk ishte tjetër veçse një formë e asaj “gjuhës së prezencës fizike” që gjithmonë njerëzit janë në gjendje ta përdorin.
Kuptova; dhe ndjeva menjëherë një antipati për ata të dy. Pastaj m’u desh ta kapërdija antipatinë dhe t’i mbroja flokëgjatët nga sulmet e policisë e të fashistëve: qeshë, natyrisht, për shkak të parimit, në anën e Living Theatre, të Beats etj.; dhe parimi që më bënte të isha në anën e tyre ishte një parim thellësisht demokratik.
Flokëgjatët u shumuan mjaft- si të krishterët e parë: por vazhdonin në mënyrë misterioze të ishin të heshtur; flokët e gjatë ishin gjuha e tyre e vetme dhe e vërtetë dhe pak u interesonte të arrinin gjë tjetër. E folura e tyre përkonte me qenien e tyre. Pashprehshmëria ishte ars retorica (oratoria) e protestës së tyre.
Çfarë thoshin, me gjuhën e pa artikuluar, të qëndrueshme në shenjën monolite të flokëve, flokëgjatët e viteve ’66- ’67?
Thoshin këtë: “Qytetërimi konsumist na është neveritur. Ne protestojmë në mënyrë radikale. Po krijojmë një antikorp për këtë lloj qytetërimi përmes kundërshtimit. Dukej sikur gjithçka shkonte mirë, apo jo? A duhej të ishte brezi ynë një brez i plotësuar? Përkundrazi, ja si janë gjërat në realitet. Ne i kundërvëmë marrëzinë një prapësie të “ekzekutuesve”. Po krijojmë vlera të reja fetare në entropinë borgjeze, pikërisht në momentin kur po bëhet tërësisht laike dhe hedoniste. E bëjmë me një bujë dhe një dhunë revolucionare (dhunë e të pa-dhunshmëve!) sepse kritika jonë ndaj shoqërisë sonë është totale dhe e pandryshueshme.”
Po të pyeteshin sipas sistemit tradicional të gjuhës së folur, nuk e besoj se ata do të ishin në gjendje ta shprehnin në mënyrë kaq të artikuluar tezën e flokëve të tyre: fakti është se në thelb këtë donin të shprehnin. Për sa më përket mua, edhe pse dyshoja deri atëherë se “sistemi i tyre i shenjave” ishte produkt i një nënkulture proteste që i kundërvihej një nënkulture të pushtetit dhe që revolucioni i tyre jo marksisit ishte i dyshimtë, vazhdova për një periudhë të isha në anën e tyre, duke u mbështetur të paktën në elementin anarkist të ideologjisë sime. Gjuha e atyre flokëve, edhe pse e pashprehshme, shprehte “gjëra” të së Majtës. Madje të së Majtës së Re, të lindur brenda universit borgjez (në një dialektikë të krijuar ndoshta në mënyrë artificiale nga ajo Mendje që rregullon, përjashta ndërgjegjes së Pushteteve të veçanta e historike, fatin e Borgjezisë).
Erdhi 1968. Flokëgjatët qenë thithur nga Lëvizja Studentore; u valëvitën me flamuj të kuq mbi barrikada. Gjuha e tyre shprehte gjithnjë e më shumë “gjëra” të së Majtës. (Çe Gevara ishte flokëgjatë etj.)
Në 1969- me tragjedinë e Milanos, Mafien, emisarët e kolonelëve grekë, bashkëpunimin në krim të Ministrave, komplotin e zi, provokatorët- flokëgjatët ishin tepër të përhapur: edhe pse nuk ishin akoma në shumicë numerike, kishin marrë një peshë të madhe ideologjike. Tani flokëgjatët nuk ishin më të heshtur: nuk ia delegonin më sistemit shënjues të flokëve të tyre të gjithë kapacitetin komunikues dhe shprehës. Përkundrazi, prania fizike e flokëve, në njëfarë mënyre, ishte katandisur në funksion dallues. Ishte kthyer në funksion përdorimi tradicional i gjuhës verbale. Dhe nuk them verbale rastësisht. Madje e nënvizoj. Kaq është folur nga ’68 në ’70, kaq shumë, sa për një periudhë i është nxjerrë fundi verbalizmit; dhe verbalizmi ka qenë ars retorica e re e revolucionit (goshizmi, sëmundja verbale e marksizmit!)
Edhe pse flokët- të përthithur në furinë verbale- nuk u flisnin më në mënyrë të pavarur marrësve të hutuar, prapëseprapë unë gjeja forcën ta mprehja kapacitetin e deshifrimit dhe në rrapëllimë, u përpoqa t’i kushtohesha dëgjimit të diskutimit të heshtur, të pandërprerë, të atyre flokëve gjithnjë e më të gjatë.
Çfarë thoshin ata, tani? Thoshin: “Po, është e vërtetë, themi gjëra të së Majtës; kuptimi ynë- edhe pse pastërtisht përkrahës i kuptimit të mesazheve verbale- është një kuptim i së Majtës... Por... Por...”
Diskutimi i flokëve të gjatë ndalonte këtu: duhej ta plotësoja vetë. Me atë “por” ata donin të thoshin qartë dy gjëra: 1) “Pashprehshmëria jonë shfaqet gjithnjë e më shumë e natyrës iracionale dhe pragmatiste: epërsia që ne i veshim në heshtje veprimit është e karakterit nënkulturor dhe prandaj në thelb është e djathtë”. 2) Ne kemi qenë të parapëlqyer edhe nga provokatorët fashistë, që u përzihen revolucioneve verbale (por verbalizmi mund të çojë edhe në veprim, sidomos kur e mitizon): dhe krijojmë një maskë të përsosur, jo vetëm në pikëpamjen e aspektit fizik- rrjedhja dhe valëzimi ynë i çrregullt priret t’i bëjë homologe të gjitha fytyrat- por edhe në pikëpamjen kulturore: në fakt një nënkulturë e së Djathtës mund të ngatërrohet shumë bukur me një nënkulturë të së Majtës”. Shkurt kuptova se gjuha e flokëve të gjatë nuk shprehte më “gjëra” të së Majtës, por shprehte çdo keqkuptim e Majtë- e Djathtë, që bënte të mundur prezencën e provokatorëve.
Para nja dhjetë viteve, mendoja, ndër ne të brezit të mëparshëm, një provokator ishte gati i pakonceptueshëm (veç nëse ishte një aktor i madh): në fakt nënkultura e tij do të dallohej, edhe fizikisht, nga kultura jonë. Do ta njihnim nga sytë , nga hunda, nga flokët! Do ta demaskonim menjëherë dhe do t’i jepnim menjëherë mësimin që meritonte. Tani kjo nuk është e mundur. Askush më në botë nuk mund të dallojë një revolucionar nga një provokator. E Djathta dhe e Majta janë shkrirë fizikisht.
Kemi arritur në 1972.
Isha këtë shtator në qytezën Isfahan, në zemër të Persisë. Vend në zhvillim, siç thuhet në mënyrë të tmerrshme, por po aq të tmerrshme thuhet, në ngritje të plotë. Mbi Isfahanin e dhjetë viteve më parë- një nga qytetet më të bukura të botës, kushedi, ndoshta më i bukuri- ka lindur një Isfahan i ri, modern e shumë i shëmtuar. Por nëpër rrugët e tij, për punë apo për shëtitje, rreth darkës shihen të rinjtë që shiheshin në Itali para dhjetë vitesh: bij dinjitozë dhe të përulur, me qafat e bukura dhe fytyrat e bukura e të kthjellëta nën cullufet e pafajshme krenare. Dhe ja që një mbrëmje, duke filluar nga rruga kryesore, pashë mes gjithë atyre të rinjve të hershëm, shumë të bukur e plot dinjitet të hershëm njerëzor, dy qenie të përbindshme: Nuk ishin tamam nga flokëgjatët, por flokët e tyre ishin prerë evropiançe, të gjatë mbrapa, të shkurtër mbi ballë, të rriposur nga tërheqja, me dy cullufe të ndyra, ngjitur në mënyrë artificiale përreth fytyrës sipër veshëve.
Çfarë thoshin këta flokët e tyre? Thoshin: “Ne nuk i përkasim numrit të këtyre njerëzve të uritur, të këtyre mjeranëve të pazhvilluar, që kanë mbetur prapa në kohët barbare! Ne jemi punonjës banke, studentë, bij të njerëzve të pasuruar që punojnë në shoqëritë e naftës; e njohim Evropën, kemi lexuar. Ne jemi borgjezë: dhe ja, flokët tanë të gjatë, që dëshmojnë modernizmin tonë internacional prej të privilegjuarish!”
Pra ata flokë të gjatë aludonin “gjëra” të së Djathtës.
Rrethi është mbyllur. Nënkultura në fuqi ka thithur nënkulturën në opozitë. Me shkathtësinë djallëzore e ka bërë atë me durim një modë, që nëse nuk mund të thuhet tamam fashiste në kuptimin klasik të fjalës, në fakt është një “ekstrem i djathtë” real.
Përfundoj me hidhërim. Maskat e neveritshme që të rinjtë vënë në fytyrë, duke u bërë të ndyrë si kurvat e vjetra të një ikonografie të pathemeltë, rikrijojnë objektivisht mbi fizionomitë e tyre atë që vetë ata e kanë dënuar gjithmonë me fjalë. Kanë dalë fytyra të vjetra priftërinjsh, gjykatësish, zyrtarësh, anarkistësh të rremë, punonjës qesharakë, avokatë ngatërrestarë (Axekagarbulë), Don Ferrante, mercenarë, batakçinj, konformistë rrugaçë. Pra dënimi radikal dhe pa dallim që ata kanë shpallur kundër baballarëve të tyre- që janë historia në evolucion dhe kultura e mëparshme- duke ngritur kundër tyre një barrierë të pakapërcyeshme, ka përfunduar me izolim, duke u penguar atyre një raport dialektik me baballarët e tyre. Tani, vetëm përmes një raporti të tillë dialektik- qoftë edhe dramatik dhe i ekstremizuar- ata do të mund të kishin ndërgjegjen reale historike të vetvetes dhe të shkonin përpara, “t’i kapërcenin” baballarët. Përkundrazi, izolimi në të cilin janë mbyllur- si në një botë mënjanë, në një geto të rezervuar për rininë- i ka mbajtur të ndaluar në realitetin e tyre të pamposhtshëm historik: dhe kjo ka përfshirë- në mënyrë fatale- një regres. Në realitet ata kanë shkuar më prapa se baballarët e tyre, duke shkaktuar në shpirtin e tyre tmerre dhe konformizma dhe në pamjen e tyre fizike rregulla të ngurta e mjerime që dukej se ishin kapërcyer përgjithmonë.
Tani flokët e gjatë thonë kështu, në gjuhën e tyre të pa artikuluar e të xhindosur të shenjave joverbale, në ikonizmin e tyre banditesk, në “gjërat” e televizionit apo të reklamave të produkteve, ku tashmë është e pakonceptueshme të parashikosh një të ri që të mos ketë flokë të gjatë: fakt që sot do të ishte skandaloz për pushtetin.
Ndjej një pakënaqësi të sinqertë e të pafund të them (madje, një dëshpërim të vërtetë): por tashmë mijëra e qindra mijëra fytyra të rinjsh italianë, i ngjasojnë gjithnjë e më shumë fytyrës së Merlinit. Liria e tyre për t’i mbajtur flokët siç duan, nuk është më e mbrojtur, sepse nuk është më liri. Ka ardhur çasti t’u thuhet të rinjve se mënyra e tyre e mbajtjes së flokëve është e tmerrshme, sepse është skllavëruese dhe vulgare. Madje, ka ardhur çasti që ata vetë ta vënë re dhe të çlirohen nga ky ankthi i tyre fajtor për t’iu përmbajtur rregullit degradues të hordhisë. 
Shq.z.v