Echoes by Pink Floyd

Shqipëroi: Mariola Poro

Varur palëvizshëm, albatros në ajër
e thellë nën përplasje dallgësh në labirinte shpellash koral,
jehonë e një batice të largët,
shelguar vjen nëpër rërë...
dhe gjithçka... e gjelbër dhe e nënujëshme.

Dhe askush nuk na e tregoi vendin
dhe askush nuk i di “kur” dhe “pse”-të,
por diçka lëviz dhe diçka orvatet
e nis të kacavirret në të dritës drejtim.

Të huaj kalojnë në rrugë
rastësisht dy shikime veçmas, takohen
Dhe unë jam ti dhe ajo çka shoh është unë
dhe... a të të kap nga dora?
Dhe të të udhëheq tejpërtej tokës
e më ndih të kuptoj më të mirën e mundshme!

Dhe askush nuk na thërret për të bërë para
dhe askush nuk na i hedh sytë.
Askush nuk flet
dhe askush nuk orvatet.
Askush nuk fluturon rreth e qark diellit...

E kthjellët çdo ditë ti bie mbi sytë e mi në zgjim,
duke më ftuar dhe nxitur të lind.
Dhe përmes dritares në mur,
eja derdhu mbi krahë rrezesh të diellta,
një milion ambasadorët e shndritshëm të mëngjesit..!

Dhe askush nuk më këndon ninulla,
dhe askush nuk më bën t’i mbyll këto sy.
Kështu, i shpartalloj dritaret
dhe përmes qiellit... thërras... TY...