Nga proza poetike e D'Annunzios

Shqipëroi: Zija Vukaj

(Mëkat të mos përkthehet ky tekst; mëkat edhe të mos përdoren në ushtrimet e stilistikës këta rreshta të stilistit më elegant të letërsisë italiane- Il Vate nazionale)

“Uji nuk është më ujë; bëhet një shpirt i bjerrun që ulërin, qesh, dënes, belbëzon, shpotit, rënkon, thërret, porosit. ‘E pabesueshme!’- thotë Antonelo për t’u shfajësuar që i ishte dhënë në heshtje lojës së currilave. Po kur Antonia sjell në jetë shatërvanin e mermertë- kompozim pompoz i kuajve të neptunëve, të tritonëve, të delfinëve e të lugjeve me rresht të trefishtë, duke dhënë ujë, ja që tregimtari Klaudio përfytyron epshin e gurit të vërshuar nga jeta e freskët dhe e lëngët: dhe shtiret në vetvete “Rrëqethje e pamundur.”
‘Trumbetat e tritonëve frynin,- thotë Klaudio,- grykat e delfinëve gurgullonin. Nga kulmi një curril shpërtheu duke fishkëllyer, i ndritshëm e i shpejtë si një goditje heshte dridhëse ndaj kaltërsisë; u thye, u tërhoq sërish, ngurroi, gufoi dhe u ngrit më drejt e më fort; qëndroi lart në ajër, u bë si diamant, si një kërcell, dukej sikur do të çelte. Një rropamë e shkurtër dhe e dëlirë si kërcitja e një kamxhiku jehoi në fillim në mbyllje; pastaj qe si buçitja e një qeshjeje të fortë, si rrebesh shiu...’ ‘Dëgjo,- thirri Antonelo që e shikonte atë triumf me syrin e armikut- të duket e durueshme gjatë kjo rropamë?’- “Ah, unë do të rrija orë e ditë duke e dëgjuar- u duk të thoshte Violante duke i vënë zërit të vet një veshje më të rëndë- asnjë muzikë nuk vlen sa kjo, për mua.”

Gabriele D’Annunzio, “Virgjëreshat e shkëmbinjve”
shqip. z.v.