S'TË FSHIJ DOT...


Nga: Charles Bukowski

Shqipëroi: Maksim Rakipaj

Qëllon të zgjohesh në mëngjez, shikon që ka pushuar shiu dhe thua: -Ë? Ç'paska ndodhur?
Ja pra, atë mëngjez kështu më ndodhi dhe mua që kisha kohë që nuk dashuroja, jo se kisha ndonjë shkak, jooo, thjesht nuk dashuroja dhe nuk e dija përsenë, por kush e di, edhe e dija: ç'kuptim kishte për mua të dashuroja po të mos ishe ti ajo?
Atë mëngjez kisha një dëshirë të madhe me të thënë -të dashuroj- apo kështu më është ngulitur në mëndje. Sa më ka marrë malli, e dashur. Sigurisht, e ndjeja me kohë këtë gjë, por e kuptova më mirë kur jashtë kishte pushuar shiu dhe mua më regëtiu zemra.
Puna është se më parë kisha një shkak të mos dilja, (binte shi pra, ç'faj kam unë), por tashmë retë qenë larguar duke marrë me vete të gjitha shkaqet. A, ti s'je, në rregull, por prapë mirë dhe në qoftë keq, sepse unë të dua njësoj. 
Kam një si punë ditari që mbaj mbyllur në krahëror, ndjej që duhet ta nxjerr dhe ta hap si të më shkrepet, si të më thotë zemra. Dreq, dreq zemre që asnjë llogari nuk bën dhe kur nis t'i bësh, i bën lëmsh.
Atë "të dashuroj" s'arrita me ta thënë. Qe pranverë kur ike, e mban mend? Përpiqesha ta mbaja veten. Jeta vazhdon, dëgjoja të gjithë të më thoshin. Po kur ike ti, u bëra ca i shkalafitur nga mendja.
Të them të drejtën e humba, duke të humbur ty, humba dhe vetë. Po ti? Ah! Jo, më fal, nuk doja të them në mbete keq edhe ti, merre si një përshëndetje...Diçka të tillë p.sh., hë, ç'kemi nga ty, ç'na thua. Me se po merresh tani, në këtë çast, ç'po bën?
As që dua ta di ç'bën me jetën tënde, në fund të fundit unë jam jashtë saj, ç'më duhet mua? Patjetër gjëra të bukura je duke bërë, shumë të bukura, por dua të di tani, ç'bën tani, në këtë çast. 
Dhe unë të mendoj tani dhe vuaj.
Nuk dua të mendoj për ty, dua me të pasë këtu, pranë vetes. Por nuk të kam. 
Nuk dua me të pasë ndër mend, por mos më lerë vetëm, mos më ikë dhe nga ëndrrat. Ti e dashur plagë, copë ma bën zemrën, e di? Por fare s'e ndjej dhëmbjen, ta dish.
Buzëqesh se brenda tyre je ti dhe kështu të paktën të shikoj. Të shikoj edhe kur puth atë trapin dhe kjo gjë më xhindos. Por ti mos më lerë, anipse jam i xhindosur.
Mos më largo nga vetja. Nuk më dhëmb plaga që kam në zemër, jo, fare nuk më dhëmb, më dhëmb që s'të kam dhe mos m'u largo më shumë, të lutem.
Ndonjëherë ndjehem kaq i fortë, sa jam gati të them se ti pa mua s'jeton dot. Por s'është e vërtetë, e di pse? Puna është se rrekem të vazhdoj jetën, a mundohem të bind veten se duhet ta provoj. 
T'ia kisha dalë me të thënë sot "të dashuroj", s'do ta rruaja për këtë rrebesh që s'po rresht, më plasi mua për shiun, t'ia kisha dalë me të thënë "të dashuroj" nuk do rrija këtu të vrisja mendjen si të të harroj, pa të fshirë nga mendja. E kush të fshin dot ty.
Je si ato njollat e bojës te xhepi i këmishës, por mbi këmishë vesh një xhaketë a një triko njeriu, po mbi ty, çfarë të vesh?

© shqipëroi Maksim Rakipaj