Poezi nga Ricarda Huch

Shqipëroi nga gjermanishtja: Esmeralda Çaça

Shkëlqen e ëmbla dritë e Hënës
Mbi male e lugina si një kroketë
Trupi më fle, por shpirtin e kam zgjuar
Më merr me vete o rreze e zbehtë

Në varkën e argjendtë
Pa zhurmë fluturon ai nëpër natë
Siç ngarendin retë e imta në qiell
I lehtë posi një mjellmë e bardhë ‘

Te shtëpia e të dashurit tim fluturon
Ku ai është shtrirë teksa po flen
“Mos është kjo një ëndërr që mallin ma dëfren?
Si shpirt’ i të dashurës ai po më ngjason”

Nuk jam ëndërr, por jam nusja
E dashura jote e zemrës unë jam
Pranë trupit tënd doja të strukesha
E ty njëqind herë të të puthja

***
A dëshiron që unë si motër të t’mëkoj?
A dëshiron, që unë si femija yt të t’nderoj?
Apo mos do që për ty si nënë të kujdesem unë?
A mos ndoshta të t’dëshiroj si një femër e sëmurë?
Edhe mikja jote do kisha pranuar të isha,
Skllavja, idhullja, gjithçka, veç ty të t’kisha,
A do t’më lejosh pra të të dua patjetër -
Por veç mua i dashur dhe askënd tjetër.

***
Mall

Me qenë me ty
tuj pritë në ankth do rrezikoja
Miq dhe katandi do i braktisja
gjithë t’mirat e botës do i harroja

Qenia ime t’kërkon ty
ashtu si vala brigjet ranore
Si dallëndyshja në vjeshtë
n’kërkim të tokave jugore

Ashtu si djaloshi alpin
tek ëndërron natën i qetë
për malet plot me borë
nën tisin e Hënës s’argjendtë.

***
Mbi urë

Të vetëm mbi një urë 
unë dhe i dashuri im rrinim
në një sikur rridhnin
na dukeshin dy degët e Rinit

Ishte natë e ne rrinim në heshtje
në atë vend të qetë
ku një pikë loti zuri fill
fugoi dallga vetë

Malet ngriheshin sipër nesh
si hije të mëkatit tonë mbi ne ata binin
robëruese endej vetmia 
mbi shpirtin tënd dhe timin.

Ricarda Huch (18 Qershor 1864 – 17 Nëntor 1947) ishte shkrimtare, poete, filozofe dhe historiane. Ajo konsiderohet si një ndër intelektualet e para gjermane të shekullit 19-të. Duke qenë e trajnuar për histori, ajo është autorja e shumë veprave të historisë evropiane. Krijimtaria e saj letrare përfshin një sërë novelash, poezish dhe një pjesë teatrale. Ricarda Huch është nominuar 7 herë për çmimin Nobel në Letërsi. (Shënim i përkthyeses).