Nga arti i ëndërrimit.

Nga: Fernando Pessoa

Shqipëroi: Anila Xhekaliu

Nga arti i mirëndërrimit

Shtyje për më vonë çdo gjë. Nuk duhet të bësh kurrë sot diçka që mund ta lësh mbas dore nesër.

Nuk ka nevojë madje as të bësh çfarëdoqoftë, as sot as nesër.

Mos mendo kurrë për atë që do bësh. Mos e bëj.

Jeto jetën tënde. Mos u jeto prej saj.

Në të vërtetë e në gabim, në gaz e në mërzi, ji vetja e vërtetë. Nuk ia del ndryshe veçse përmjet ëndërrimit, ngaqë jeta jote reale, jeta jote njerëzore, është ajo, që në vend që të përkasë ty, u përket të tjerëve. Do ta zëvendësosh pra jetën me ëndrrën, dhe do të shqetësohesh vetëm për të ëndërruar në përsosmëri. Në asnjërin prej akteve të jetës reale, qysh nga akti i lindjes dhe atij të vdekjes, nuk vepron në të vërtetë; je i ndikuar; nuk jeton, vetëm ke jetuar.

Bëhu në sytë e të tjerëve një sfinks absurd. Mbyllu, por pa trokitur në derën tënde, në kullën tënde të fildishtë. Dhe kjo kullë e fildishtë, je vetë ti.

Dhe nëse të thonë që e gjithë kjo është e gabuar, është absurd, mos u beso asgjë. Por mos i beso as kësaj që të thashë, ngaqë nuk duhet të besosh në asgjë.

Përçmo çdo gjë, por në mënyrë të atillë që ky përçmim të mos mundë të të besdisë. Mos beso se përçmimi të bën sipëror. Krejt arti i përçmimit të fisëm gjendet aty.

Fernando Pessoa

Fernando Pessoa