Nga Jahan Meleqe Hanmi

Nga: Jahan Meleqe Hanmi, princeshe e poeteshe perse e shek. XIV

Shqipëroi: Sait Saiti

Në do t'më puthje, i shtrenjti im,
me buzët e tua ngjyrëalli,
Vathin tënd do të virja në vesh,
E ytja do të bëhesha, si skllavi.

Kush ka sytë e tu të dashur,
ndo buzët a tënden gushë?
Kush ka flokët, qafën tënde,
ndo mishët tëndë, kush?

Hënën kush e ka parë
me një të tillë kapelë?
po një dru selvie
me velin tënd mbështjellë?

O Zot, jepmë gonxhen
dhe jo gjëmbin e dashurisë
O Zot, mos më ngà
me buzët që në ëndrra më stis.

Kam qarë shumë që atëherë
kur sytë m'i ke lënë;
E ku ta dish ti
ç'kam hequr gjithë natën mbrëmë?

Pse zemrën ma lëndove,
kaq thekshëm me pikëllim?
Dhe çka të bëri t'i harroje,
ato që m'i bëre premtim?