Në Burg.


Nga: Juan Gelman

Shqipëroi: Maksim Rakipaj

Ranë unazat e mia
por gishtat jo
shkëlqimi im nuk vjen nga gurët e çmuar
kam besimin
dinjitetin 
shpirtin tim që shkëlqen
emrin që më la im atë
Dëgjoj në burg po këndon
nj zë si pëllumb a dallëndyshe
u lutet zogjve të shkojnë
te dritarja e së dashurës
atje të lenë dritën e mundimeve
dhe s'andejmi të sjellin përfytyrimin e saj
që është jeta për të
e paprekur
asnjë hekur i skuqur s'mund ta përzhitë
gardianët s'mund ta thyejnë
me etje
me uri
i burgosuri prej lotëve të saj pi
kripën e hijeshisë së saj
netët e dashurisë, ende të nxehta ha,
dhe shëmtimi në terrin e qelisë
si zog i shëmtuar fshihet
andej brejnë mijtë
pleshtat gjak thëthijnë
të tjera kafshë pa fytyrë
trup e shpirt i rrethojnë
por ai mendon për kohën
fjalën "ndoshta" shikon
fjalën "nesër"
nën një diell tjetër,
diell të vërtetë.