Mitrushi (sipas meje).


Nga: Zija Vukaj

Mitrush Kuteli

Mitrush Kuteli

Befasues është Mitrush Kuteli në aspektin magjik të prozës së tij. Çfarë stili i harlisur! Çfarë fantazie në impostimin e lexuesit të tij imagjinar! Proza e tij frepabindur i bindet vetëm atij. Vetëm trilleve të një artisti tekanjoz, por pajisur me arsenale gjigande historish të jetës, me grimcat e pafundme të pluhurit kozmik të njësive shpirtërore të popullit të vet, të oqeanit leksikor, përdorur me një freski dhe hijeshi të çuditshme. Kuturisjet e tij thyejnë ligjet e kohës dhe të hapësirës, kapërcejnë vijën mes jetës dhe vdekjes. Lëngu i jetës regëtin vrullshëm në çdo pore të organizmit të tij letrar. Telajoja e jetës është mahnitëse; pranvera është plot dritë e shpërthime; vjeshta është tunduese dhe idilike; dimri madhështor e sherrxhi; vera e vakët e kalamendëse deri në përgjumje; personazhet zullumqarë e të papërmbajtur; fisnikë e kokëkrisur me tepri, me emra kanosës Gjatollinj, Gjonomadhë etj., që nuk i zë as krahina, si Tat Tanushi i Bubutimës, Ago Jakupi apo Xheladin Beu në vjeshtën e tij tragjikomike, të shfrenuar në pasione e të ndritur si ari në shpirtrat e tyre të lirë. Dekori i teatrit të tij epik është i mbushur me koloritin e shpirtit shqiptar, me lulkat dhe melizmat e mbledhura me kujdes nga nektari popullor e të përpunuara si mjalti nga autori. Një prozë poetike e çlirët dhe e mbushur me jonet muzikore të këngëve të veriut e të jugut.
z.v